Kosova

Ambasada e SHBA-ve në Serbi vazhdon t’i referohet Asociacionit si “Zajednicë”


Christopher Hill

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në çdo paraqitje para publikut ka argumentuar se si Qeveria e udhëhequr nga vetë ai e ka ndalur formimin e “Zajednicës”, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi po vazhdon t’i referohet Asociacionit si “Zajednicë”.

Përmes një postimi në Twitter, Ambasada Amerikane në Serbi, ka publikuar një pjesë të intervistë së ambasadorit Christopher Hill në Euronews Serbia, realizuar ditë më parë.

Postimi i Ambasadës Amerikane ndër të tjera përmban një citat të diplomatit Hill, i cili i referohet Asociacionit si “Zajednicë të Komunave Serbe”.

“Një moment kyç është duke u arritur në procesin e dialogut në Bruksel për Marrëveshjen e ardhshme për normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës. Marrëveshja është pa mëdyshje e mirë për Serbinë. Një nga çështjet më të rëndësishme është nevoja për themelimin e shpejtë të ‘Zajednicës’ së Komunave Serbe”, shkruhet në postimin e Ambasadës.

“Zajednica” si termë me konotacion negativë është përdorur me vite të tëra nga Lëvizja Vetëvendosje për të paraqitur Asociacionin si një e keqe që po i kanoset Kosovës.

Shefi i Qeverisë, ka përsëritur disa here se nuk do të ketë “Zajednicë” dhe se e njëjta ka “vdekur” me aktgjykimin e viti 2015 të Gjykatës Kushtetuese.

Por, i njëjti në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës, RTK, ka pranuar se Marrëveshja e dakordësuar me Serbinë më 27 shkurt në Bruksel fillimisht e më pastaj më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, parasheh formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Çfarë deklaroi Hill në Euronews Serbia?

Diplomati amerikan kur u pyet nëse Kosova dhe Serbia janë afër formimit të Asociacionit dhe nëse i njëjti do të bazohet në Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013 dhe 2015, ka deklaruar se implementimi i këtij mekanizmi po ndodhë.

“Negociatat ishin të vështira, por ka një udhëzim të qartë, që është Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013. Edhe pse negociatat sigurisht që do të jenë të vështira, djalli është në detaje, dhe ka shumë të tilla. Mendoj që kemi udhëzime të qarta, sepse nga gjashtë pikat e para të Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013, ne e dimë se si do të duket ai komunitet”, ka thënë Hill.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore