Kosova

Presidenca: Pretendimi se Kushtetuesja do ta “rrëzojë” presidenten, është synim perfid për t’i bërë presion Gjykatës


Presidenca e Kosoves.

Edhe nëse vendoset pozitivisht mbi lëndën e ish deputetit Veton Berisha që është në shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese që nga viti 2021 për shkak se pretendon që i janë shkelur të drejtat gjatë kandidimit nuk mund të rrezikohet mandati i Presidencës.

Sipas shefit të stafit në kabinetin e presidentes Vjosa Osmani, Blerim Vela, këto pretendime janë synime perfide për t’i bërë presion gjykatës dhe për të krijuar huti në publik.

“Pretendimet se gjoja Gjykata Kushtetuese do ta ‘rrëzojë’ Presidenten, është synim perfid për t’i bërë presion Gjykatës dhe për të krijuar huti në publik. Gjykata Kushtetuese është institucion i pavarur, e cila ka detyrim të qartë ligjor për të ruajtur integritetin e vendimmarrjes gjyqësore”, ka shkruar Vela.

Teksa ka shtuar se dezinformatat bëhen duke u thirrur në “burime brenda gjykatës”.

“E kemi plotësisht të qartë se dezinformatat dhe propaganda që bëhet gjoja duke u thirrë ‘në burime brenda Gjykatës’, janë pjesë e luftës speciale të realizuar sipas skemës së përgatitur nga Beogradi dhe të realizuar përmes kriminelëve të veriut dhe sekserëve të tyre”.

Edhe njohësi i çështjeve të Drejtësisë, Ehat Miftaraj, ka sqaruar se nuk mund të rrezikohet mandati i Presidentes së Republikës apo qeverisë.

“Sikurse, edhe në rast Gjykata vendos në favor të dy deputeteve, prapë se prape nuk mund të rrezikohet mandati i Presidentes, pasi që kanë kaluar afatet kohore kur ka qenë e mundur të kontestohet ligjshmëria e zgjedhjes së Presidentes së republikës”, ka sqaruar Miftaraj.

Madje ai ka shtuar se një rast i tillë nuk mund të krahasohet me rastin e Qeverisë Hoti.

“Kjo pasi në rastin e Qeverisë Hoti, procedura kushtetuese ka qenë e iniciuar kundër vendimit për zgjedhjen e Qeverisë. Vlerësimi i mandatit të z.Arifi ka qenë aspekt sekondar, për të vlerësuar kushtetutshmërinë e vendimit për zgjedhjen e Qeverisë”.

“Në rastin konkret, procedura kushtetuese nuk është e drejtuar tek vendimi për përzgjedhjen e presidentes, por vetëm tek mandati i një deputeti, anulimi i të cilit mandat, siç u tha, nuk mund të ketë pasoja më vendimet tanimë të nxjerra (Kjo praktikë e Gjykatës Kushtetuese është ndjekur në rastin e vendimit për përzgjedhjen e z. Pacolli si president dhe vendimin për zgjedhjen e Qeverisë Hoti)”, ka sqaruar Miftaraj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore