Kosova

Von Cramon: Pres nënshkrim të shpejtë të udhërrëfyesit


Viola von Cramon

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, përmes një postimi në rrjetin e saj social në Twitter e ka mirëpritur pranimin e propozimit franko-gjerman (evropian) nga Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç, si një marrëveshje për rrugën e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sipas saj, për të arritur një marrëveshje duhet guxim, vullnet politik dhe lidership.

“Prandaj pres negociata konstruktive dhe nënshkrim të shpejtë të Udhërrëfyesit të Zbatimit të aneksuar në këtë marrëveshje, pasi ajo do të zhbllokojë me të vërtetë perspektivën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, ka shkruar Cramon ndër të tjera në Twitter.

Kosova dhe Serbia të hënën, sipas shefit të BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, kanë pranuar propozimin e Bashkimit Evropian apo gjerësisht i njohur ndryshe si propozimi franko-gjerman, që tash e tutje do të quhet Marrëveshja për rrugën e normalizimit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Marrëveshja e 27 shkurtit e cila ka për qëllim normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve, në asnjërën nga 11 nenet e saj nuk parasheh njohjen e ndërsjellët mes Kosovës dhe Serbisë.

Megjithatë e njëjta detyron Kosovën ta themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe gjithashtu ta formalizojnë statusin e Kishave Ortodokse Serbe në Kosovë në bashkëpunim me Beogradin zyrtar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore