Kosova

Von Cramon dhe Bilçik prezantojnë para eurodeputetëve raportet për Kosovën dhe Serbinë: Të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog 


Viola von Cramon dhe Vladimir Bilçik

Raportuesit në Parlamentin Evropian për Kosovën dhe Serbinë, Viola von Cramon dhe Vladimir Bilçik, të enjten para eurodeputetve kanë prezantuar një draft raport për Kosovën dhe Serbinë në Komisionin e Parlamentit Evropian për Punë të Jashtme.

Draft rezoluta e Parlamentit Evropian për Kosovën “kërkon zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve relevante, duke përfshirë krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Draft dokumenti në fjalë i jep “mbështetje të plotë përfaqësuesit special të BE-së për dialogun duke ftuar kështu Kosovën dhe Serbinë që të angazhohen në këtë dialog me mirëbesim dhe në frymën e kompromisit, për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve bazuar në njohjen reciproke”.

Sipas Viola von Cramon, raporti për Kosovën është vendimtar në dialogun Kosovë-Serbi.

“Respektimi i sanksioneve ndaj Rusisë nga ana e Kosovës është dëshmi se Kosova qëndron pran BE-së dhe se është partnere e Unionit në momente kyçe”, ka shtuar ajo.

Duke folur për reformat për shtetin ligjor, Von Cramon theksoi se lufta kundër korrupsionit ka dhënë rezultate të caktuara, por ende mungojnë epilogët gjyqësorë, të cilët janë të nevojshëm për një luftë efektive kundër korrupsionit.

Ajo përmendi se në draft raport është vërejtur një mungesë e zbatimit të Strategjisë Kundër Korrupsionit.

Von Cramon përshëndeti përpjekjet e Qeverisë së Kosovës në fushën e gjyqësorit, duke shtuar se ka nevojë për shumë përpjekje për të hequr ndikimin politik në gjyqësor.

Në anën tjetër Raportuesi i PE-së për Serbinë, Vladimir Bilçik, prezantoi një raport për Serbinë, ku thuhet se progresi në sundimin e ligjit, normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën dhe përafrimi me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së do të përcaktojnë dinamikën e mëtejshme të Serbisë në raport me negociatat e anëtarësimit me BE-në.

Ai vlerësoi se lufta në Ukrainë ndryshoi të gjithë Evropën dhe procesin e zgjerimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore