Kosova

Kamberi dorëzon në Kuvendin e Serbisë kërkesën për përdorimin e lirë të flamurit shqiptar


Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi

Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka dorëzuar në këtë institucion propozimin për ndryshimin e Ligjit për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të pakicave.

Lajmin e ka bërë të ditur Kamberi përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

Sipas tij, në rastet e komunave ku pakicat përbëjnë më pak se 5 për qind të strukturës etnike, me këtë propozim kërkohet lejimi i përdorimit të flamurit në festat kombëtare të pakicave nacionale.

“Në procedurë parlamentare sot dorëzova propozimin për ndryshimin e Ligjit për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të pakicave. Neni 14, alinea 2 e këtij Ligji ndalon përdorimin e simboleve kombëtare “nëse janë identik me simbolet e shtetit tjetër”, ka shkruar Kamberi.

Ai tutje ka sqaruar se cilat ndryshime ka kërkuar përmes kësaj kërkese.

“Me propozimin e ri kam kërkuar ndryshimin e plotë të këtij Neni, eliminimin e pengesave për përdorimim e simboleve, me propozimin që simbolet e pakicave të përdoren lirshëm dhe zyrtarisht gjatë tërë vitit në institucionet e vetadministrimit lokal dhe organet shtetërore në të gjitha komumat në të cilat gjuha e pakicave është gjuhë zyrtare”.

Kamberi ka shtuar se me propozimin për ndryshimin e këtij ligji e kanë përkrahur edhe deputet, Enis Imamovic dhe Selma Kucevic nga SDA e Sanxhakut dhe deputeti i pavarur Aleksandar Olenik.

Është dashur të përsëriten plotë pesë herë zgjedhjet në Tërnoc të Luginës së Preshevës që Shaip Kamberi të rizgjedhet deputet i Kuvendit të Serbisë dhe zëri i shqiptarëve të Luginës edhe në këtë përbërje legjislative atje.

Kamberi në garë ishte me Partinë Socialiste të Ivica Daçiç.

Raundi i pestë i votimeve ishte mbajtur të enjten e 30 qershorit në 2022, kurse raundi i pari ishte mbajtur me 3 prill të 2022.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore