Kosova

Kurti për vërshimet: Institucionet përveç me pasojën duhet të merren edhe me shkaktarët


Mbledhja e Qeverisë.

Pas dëmeve që kanë pësuar disa nga komunat, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës ka deklaruar se duhet të ketë hetim për veprimet e jashtëligjshme në dëm të ekosistemit.

Sipas kryeministrit, institucionet përveç me pasojën duhet të merren edhe me shkaktarët e vërshimeve.

“Dëmtimi i brigjeve dhe shtretërve të lumenjve, hedhja e mbeturinave, prerja e pyjeve, sistemet joadekuate të kanalizimit, planifikimi jo i duhur, i kanë lehtësuar përmbytjet. Krahas vlerësimit të dëmeve duhet të bëjmë rivlerësim të sjelljes sonë karshi mjedisit dhe natyrës. Të përmirësojmë reagimin tonë në parandalim. Duhet hetim për veprimet e jashtëligjshme në dëm të ekosistemit”.

Ai ka shtuar se, “s’mjafton rimëkëmbja nëse s’nxjerrim mësime. S’mjafton tejkalimi nëse nuk përmirësohet”.

Kurse ka premtuar se ekzekutivi do t’u qëndrojë pranë komunave të prekura, gjithashtu bëri thirrje për ndërgjegjësim institucional e shoqëror.

Qeveria synon miratimin e 100 projektligjeve për vitin 2023

Gjatë mbledhjes nga Qeveria është thënë se ka synim miratimin e afro 100 projektligjeve për vitin 2023.

Programi legjislativ nga Zyra e Kryeministrit përmban pesë projektligje.

Ministria e Financave 16 projektligje, Ministria e Brendshme 13, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës 11, Ministria e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë 11, Ministria e Drejtësisë 10, Ministria e Shëndetësisë shtatë, Ministria e Ekonomisë pesë.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit pesë, Ministria e Bujqësisë pesë, Ministria e Arsimit katër, Ministria e Jashtme tre, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal tre dhe Ministria e Mbrojtjes dy.

Edhe në janar 50 euro shtesë për punëtorët e sektorit publik

Nga 50 euro shtesë në pagë do të ndahen për punëtorët e sektorit publik edhe në muajin janar.

Ministri i Financave, Hekuran Murati deklaroi se ishte premtim i Qeverisë që të paguhet kjo shtesë deri në hyrjen në fuqi të Ligjit të Pagave, që pritet të nisë në shkurt.

Shtesa nga 50 euro në sektori publik ka nisur në muajin shtator pas grevave në arsim.

Gjatë mbledhjes është miratuar edhe projektligji për lirinë fetare, ky projektligj ka për qëllim të ruajë pluralizimin fetare e t’ua ofrojë bashkësive fetare mundësinë për t’u regjistruar zyrtarisht.

Tre anëtarë abstenuan gjatë votimit të këtij projektligji.

Lajmi në përditësim…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore