Kosova

Cramon përshëndet lirimin e Pantiç’it: Tash të hiqen barrikadat  


Viola von Cramon

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka mirëpritur me ngrohtësi ndryshimin e masës së sigurisë nga ana e Gjykatës Themelore në Prishtinë për ish-policin e Kosovës nga radhët e komunitetit serb, Dejan Pantiç, i cili u arrestua në pikë kalimin kufitar në Jarinjë, nga autoritetet kosovare nën dyshimin për sulme terroriste është liruar nga paraburgimi për t’u mbrojtur në liri.

Sipas deputetes gjermane, von Cramon, lirimi i Pantiç’it nga paraburgimi për t’u mbrojtur në arrest shtëpiak duhet të çojë në heqjen e menjëhershëm të barrikada në Veri dhe deeskalim të plotë të situatës në këtë pjesë të Kosovës.

“E mirëpres me ngrohtësi vendimin e gjykatës për dërgimin e Dejan Pantiç’it në paraburgim në shtëpi. Kjo duhet të çojë në heqjen e menjëhershëm të barrikadave në Veri dhe deeskalim të plotë”, ka shkruar von Cramon në rrjetin e saj social në Twitter.

Gjykata Themelore në Prishtinë, këtë të mërkurë ka konfirmuar se Pantiç, është liruar nga paraburgimi për t’u mbrojtur në liri.

Pantiç i cili deri të mërkurën ndodhej në paraburgim, tashmë do të mbrohet në arrest shtëpiak.

“Ka qenë kërkesë e Prokurorisë Speciale që masa e sigurisë t’i ndryshohet nga paraburgim në arrest shtëpiak dhe gjykata ka aprovuar këtë ndryshim”, ka thënë Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi për Albanian Post.

Lidhur me ndryshimin e masës së paraburgimit të Dejan Pantiç’it ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kurti në një konferencë për media ka kritikuar qasjen e organeve të drejtësisë për lirimin në arrest shtëpiak të Pantiç’it i cili akuzohej nga institucionet relevante për terrorizëm.

“Por, kur ke një akuzë për terrorizëm të dërgohesh në arrest shtëpiak, unë jam shumë kureshtar ta marr vesh se cili është ai prokuror që e bënë këtë kërkesë e cili është ai gjyqtar që e aprovon”, ka thënë Kurti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore