Kosova

I dyshuari për vrasjen e gruas shtatzënë akoma në arrati


Foto nga vendi i ngjarjes.

I dyshuar S.H nga Shtimja, i cili dyshohet se vrau ish-bashkëshorten e tij shtatzënë, H.M mbrëmjen e të mërkurës në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), vazhdojnë të jetë në arrati.

Kështu thuhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.

Nga ky institucion është thënë se kanë kërkuar në disa lokacione, por deri tani nuk kanë hasur në të dyshuarin.

“Është raportuar se viktima femër kosovare para klinikës së Gjinekologjisë në QKUK është qëlluar me armë zjarri nga një peron i dyshuar dhe si pasojë ka ndërruar jetë, vdekjen e të cilës e ka konstatuar mjeku”.

“Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante të policisë dhe prokurori kujdestar me urdhrin e të cilit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion. Nga njësitë policore në disa lokacione është kërkuar i dyshuari por deri tani nuk është hasur”.

Teksa rasti vazhdon të jetë në hetime nga njësitet kompetente policore.

Mediat në Kosovë kanë raportuar se për shkak të mosmarrëveshjeve, viktima ishte ndarë nga bashkëshorti, dhe kishte një urdhër të mbrojtjes nga gjykata.

Foto nga vendi i ngjarjes.

Vrasja e gruas shtatzënë brenda QKUK-së

Më 30 nëntor, një ngjarje trishtuese ndodhi në hapësirat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku një grua 35 vjeçare – në ditët e fundit të shtatzënisë – mbeti viktimë e një krimi monstruoz.

Lajmin për Albanian Post e kishte konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Rreth orës 18:00, kemi pranuar informatën për një trup të pajetë, në oborrin e QKUK-së në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar vdekjen  e viktimës, femër, rreth 35 vjeç”.

Ahmeti ka sqaruar se mbështetur në informacionet e para, dyshimet e ngritura sugjerojnë se bëhet fjalë për vrasje.

Ndërsa kishte shtuar se policia është në vendin e ngjarjes dhe hetimet kanë nisur.

“Aktualisht policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim dhe po vijon ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, me qëllim  sqarimin e plotë të ngjarjes”.

Nuk dihen zyrtarisht akoma motivet e vrasjes, por siç ka kuptuar Albanian Post nga burime brenda QKUK-së, vrasja ka ndodhur pas përfundimit të kontrollës së viktimës nga mjekët.

Rrjeti i Grave të Kosovës do të dalë në rrugë në shenjë revolte “për vrasjet brutale të grave nga duart e burrave”.

Protesta do të fillojë prej orës 16:00, të enjten në qendër të Prishtinës, përkatësisht në Sheshin Zahir Pajaziti nën moton: “VRASJA E GRAVE NGA BURRAT TË TRAJTOHET SI URGJENCË KOMBËTARE!”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore