Kosova

Von Cramon: Jam e befasuar me skepticizmin e BE-së në rastin e Kosovës


Takim në kuadër të Procesit të Berlinit 2.0, të rinjtë nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Foto: DW.

Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon, në kuadër të panelit “Procesi i Berlinit 2.0” ka thënë se Bashkimi Evropian ka dështuar karshi Kosovës me mosliberalizimin e vizave.

“Është shumë frustruese që Franca dhe disa vende tjera të BE-së akoma janë skeptike dhe kanë dyshime se a duhet t’i hiqen vizat qytetarëve të Kosovës, përderisa Kosova i ka plotësuar kriteret. Unë personalisht jam e befasuar me këtë skepticizëm dhe thjesht nuk kam ndonjë shpjegim”, raporton DW.

Ajo tutje ka theksuar se të drejtat e njeriut duhet të respektohen duke u bazuar në ligje.

“Për mua demokracia është proces ku duhet të respektohen të drejtat e njeriut dhe ku respektohet rendi dhe ligji. Prandaj unë mendoj se mesazhi për të rinjtë e Ballkanit, të cilëve u kërkohet të angazhohen për reforma në vendet e tyre, është që edhe vet BE të reformohet”.

Takim në kuadër të Procesit të Berlinit 2.0, të rinjtë nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Foto: DW.

Si pjesë e Procesit të Berlinit, çdo vit organizohen një sërë takimesh vijuese të përfaqësuesve të politikës, biznesit dhe shoqërisë civile.

Këtë vit takimi i ministrave të punëve të brendshme u mbajt më 20 tetor, ndërsa i punëve të jashtme të vendeve pjesëmarrëse më 21 tetor.

Samiti i radhës i Procesit të Berlinit do të mbahet më 3 nëntor në Berlin, për herë të parë nën udhëheqjen e kancelarit të ri gjerman, Olaf Scholz.

Ai dhe liderët e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor pritet të diskutojnë për tregun e përbashkët rajonal dhe operacionalizimin e tij, por jo vetëm.

Një nga synimet kryesore të Procesit Ballkanik, i cili pritet të diskutohet gjatë këtij takimi në mes të shteteve do të jetë edhe përmirësimi i furnizimit të rajonit me energji elektrike, veçanërisht në kushtet e krizës së fundit energjetike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore