Kosova

Dy zyrtarë të VV-së përleshen mes vete në Podujevë


Komuna e Podujevës.

Dy asamblistë të Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë, Artit Mulliqi dhe Ragip Fetahu janë përleshur fizikisht mes vete të hënën rreth orës 11:00 në oborrin e Komunës së Podujevës.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e policisë së Kosovës, Flora Ahmeti.

“Rreth orës 11:00 jemi informuar se ka një mosmarrëveshje ne afërsi të objektit të komunës së Podujevës. Njësia policore ka dalë në vendngjarje ku për intervistim ka shoqëruar në stacion policor dy persona të përfshirë në këtë ngjarje e cila është duke u trajtuar në koordinim me prokurorin e shtetit”, ka thënë Ahmeti.

Versionin e tij të ngjarjes e ka sqaruar edhe Ragip Fetahu përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Të dashur qytetarë, sot në oborrin e Komunës jam sulmuar fizikisht nga kolegu im z. Artrit Mulliqi. Duke u kthyer për në Komunë, z. Mulliqi më vjen nga pas dhe më drejtohet kështu; ku je ti që sponsoron lajme të rrejshme për mua. Unë i drejtohem; ti ke kërkuar votë për shef të asamblistëve, secili e ka punën e tij, mos m’u drejto mua kështu”.

“Pas këtyre fjalëve z. Mulliqi më kap në këmishe dhe duke më fyer e ofenduar, e duke më sharë me nënë e familje. Kam tentuar disa herë ta largojë me duar por nuk munda. Kam lëvizur me duar pa ndërprerë. Por, ai nuk më lëshonte. Kanë ndërhyrë disa persona për ta larguar dhe në tentim e sipër më godet në pjesën e pasme të kokës duke më shkaktuar dhembje ekstreme të kokës dhe marramendje”, tha Fetahu.

Ai tutje ka thënë se dëshmi e sulmit që ka ndodhur ndaj tij janë edhe kamerat e sigurisë.

“Pas kësaj situate, unë jam larguar me shpejtësi nga oborri i komunës, sepse kolegu tërë kohën me shante dhe tentonte të afrohej. Nuk kam pas asnjëherë probleme me këtë person. Kjo mund të jetë vijimësi e problemeve të brendshme partiake dhe mund të jetë frustrim i tij për shkak se nuk ka arrit të sigurojë një votë që i ka munguar për t’u bërë shef i grupit”.

Ndërkaq ka thënë se nuk do të jetë pjesë e grupacioneve.

“Ky është inskenim i pastër i formacioneve të brendshme parapolitike të LVV, në raport me mua për shkak të qëndrimeve të mia parimore në interes të qytetarëve të Llapit. Do të jem përjetë vetëm në interes të tyre, e jo pjesë e grupacioneve dhe formacioneve fetare e parapolitike”, ka shkruar Fetahu.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore