Kosova

Von Cramon për nismën franko-gjerman: Mundësi e madhe drejt integrimit evropian


Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, në një konferencë për media ka folur për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe dialogun Kosovë-Serbi.

Von Cramon, gjatë kësaj konference ka shfrytëzuar rastin të komentojë edhe propozimin franko-gjerman të publikuar nga Albanian Post.

Sipas saj, kjo është mundësi e mirë edhe për Kosovën edhe për Serbinë.

“Unë do ta komentoja nismën e re franceze dhe gjermane. Po shihet që ka përparim të ri është një frymë e re, në të gjithë procesin po e shohim se në të dyja anët si në Beograd ashtu edhe këtu, njerëzit e kanë kuptuar nëse jo marrëveshje, të paktën të arrihet një pako e cila do të ishte e pranueshme për të dyja palët”, u shpreh ajo.

Von Cramon theksoi se pret që Kosova ta mbështetë nismën e re franko-gjermane.

“Shumë njerëz kanë shkruar për këtë lloj propozimi franko-gjerman. Mendoj që ky është një rast i mrekullueshëm që të ecët përpara të dyja palët drejt integrimit evropian që mendoj se është absolutisht i nevojshëm dhe Kosova si vendi më pro evropian duhet ta përkrah këtë”.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.

Por, shtoi se “duhet të ketë vullnet më të madh nga komuniteti serb që të integrohen në shoqëri”.

“Do të dëshiroja që kjo të tejkalohej, të gjithë qytetarët e Kosovës të jetojnë këtu dhe të marrin letërnjoftimin e Kosovës dhe të kenë të drejta të barabarta”.

“Ende ka vend për përparim, na duhet një praktikë e mirë, një proces i lehtë që të gjithë të arrijnë këtë dhe të jenë qytetarë të barabartë”.

Sa i përket liberalizimit të vizave, pohoi se është duke “vuajtur” bashkë me Kosovën për këtë proces.

“Të gjitha kriteret janë mbushur, edhe unë po vuaj sa secili prej jush, dhe nuk arsyetohet kjo”.

Pritshmëritë e Von Cramon, janë që të ketë një datë për liberalizimin e vizave.

“Shpresojmë që të kemi një datë për liberalizim shumë shpejt. Ende nuk është marrë një vendim i qartë, do të ketë një votim kah mesi i nëntorit dhe fillimi i dhjetorit, po punojmë të shohim një votim pozitiv që qytetarët e Kosovës e meritojnë moti, nuk mund të ia shpjegosh askujt”.

Ajo theksoi se edhe Kosova është duke kaluar në një fazë të vështirë për shkak të rritjes së çmimeve.

“Ne ballafaqohemi në gjithë Evropën dhe në BE kemi një gjendje me një rritje të jashtëzakonshme të çmimeve të energjisë. Javëve dhe muajve të fundit është një lloj kaosi, po mundohemi të ndërtojmë një lloj solidariteti apo sindikate për energji”.

“Dhe me rritjen e kërkesës për fosile që nuk vijnë nga Rusia, është e vështirë që të përmbushen nevojat e industrisë dhe të qytetarëve, që të sigurohemi që nuk ka çrregullime shoqërore edhe në Kosovë”, tha ajo.

Ndërsa, u shpreh se është pro energjisë se gjelbër.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore