Lajme

Rritet numri i viktimave nga uragani Ian teksa Biden përgatitet të vizitojë zonat e goditura


Vazhdon të rritet numri i viktimave nga uragani Ian.

Këtë kanë thënë zyrtarët teksa kanë përcaktuar fazat e ardhshme të përpjekjeve të rimëkëmbjes dhe Joe Biden-i është përgatitur për të vizituar disa nga zonat më të goditura.

Sakaq, shifrat jozyrtare kanë regjistruar më shumë se 100 të vrarë nga stuhia e kategorisë 4 që përfshiu Florida-n javën e kaluar përpara se të bënte një rënie të dytë vdekjeprurëse në SHBA në Karolinën e Jugut.

Zyrtarët presin që kjo shifër të rritet.

Sherifi i qarkut Lee, Carmine Marceno, ka thënë se ishte i shqetësuar për punonjësit e shpëtimit që zbulonin trupat në shtëpitë e shkatërruara pothuajse një javë pas stuhisë.

Ai është shprehur mirënjohës ndaj personelit të gardës kombëtare dhe federale, si dhe punonjësve vullnetarë të shpëtimit, për lehtësimin e barrës mbi departamentin e tij.

Më shumë se 1 mijë e 900 njerëz u shpëtuan në të gjithë shtetin deri të hënën mbrëma, sipas autoriteteve.

Nga ana tjetër, presidenti Biden do të takohet me guvernatorin e Florida-s, Ron DeSantis dhe gjithashtu do të vizitojë jugperëndimin e shtetit për të parë nga afër dëmet e shkaktuara.

Javën e kaluar, Biden nënshkroi deklaratat e fatkeqësive të mëdha për më shumë se një duzinë qarqe të Florida-s dhe premtoi se administrata e tij do të ishte me të prekurit “në çdo hap”.

Disa vlerësime të hershme llogaritin humbjet nga Ian në Florida në rreth 55 miliardë dollarë, ndërsa disa analistë të industrisë së sigurimeve mendojnë se shifra përfundimtare mund të jetë shumë më e lartë, duke e vendosur atë ndër stuhitë më të kushtueshme në historinë e SHBA-ve.

DeSantis ka thënë se përpjekjet e menjëhershme të rimëkëmbjes do të përfshinin “arnimin” e dy urave të dëmtuara që ndërpresin hyrjen nga kontinenti në ishujt pengues të Sanibel, Captiva dhe Pine.

Zyrtarët e Gardës Kombëtare të Floridës kanë treguar se teksa përpjekjet për të gjetur të mbijetuar vazhdojnë dhe më shumë se pesë mijë trupa u vendosën, operacionet e ndihmës dhe rimëkëmbjes po fillonin.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore