Kosova

Kryeparlamentari serb: Të ndërpritet dialogu, derisa të formohet Asociacioni


Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Vladimir Orliç.

Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Vladimir Orliç, ka deklaruar se Serbia nuk duhet të vazhdojë me dialogun në Bruksel, derisa Kosova ta themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

“Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, do t’i drejtohet Kuvendit tonë dhe popullit, për të folur për temën e Kosovës si më i dituri për të gjitha problemet me të cilat përballemi dhe si njeri i cili prej vitesh ka mbajtur mbi supe pjesën më të madhe të kësaj barre”, deklaroi Orliç, në një intervistë të tij për mediumin e Kosovës në gjuhën serbe Kosovo Online.

Sa i përket gjetjes së një zgjidhje për kartat e identitetit ai thotë se ishte e rëndësishme të arrihet një pajtim sa për t’i ulur tensionet, por për problemin me targat shprehet pesimist.

“Është e vështirë të presësh diçka, kur matanë rrugës ke vetëm një vendosmëri të pamatur për të bërë telashe me çdo kusht dhe sjellje krejtësisht irracionale. Serbët qëndrojnë fort pranë vendit të tyre dhe për këtë çështje, shihet nga fakti se praktikisht askush nuk pranon të kalojë targat e vendosura me dhunë”.

Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Vladimir Orliç.

Ai thekson se në Kosovë të gjithë bashkohen për ta luftuar Vuçiç-in.

“E vetmja gjë për të cilën ata janë të bashkuar është të jenë bashkë kundër Aleksandër Vuçiçit, Ata nuk mund t’i shohin sytë njëri-tjetrit për të gjitha temat e tjera”.

Pas mesnatës së 31 gushtit, shteti Serbisë ka filluar zbatimin e marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë, sipas të cilës asnjëra palë nuk do t’i lëshojë dokumentet për hyrje-dalje për shtetasit e palës tjetër.

Si rrjedhojë në pikë kalimin kufitarë në Jarinje, polici kufitar serb ka pranuar dhe proceduar më tej dokumentin identifikues të lëshuar nga autoritetet e Kosovës pa një fletë të bardhë shtesë në formatin A4.

Një gjë e tillë është konfirmuar edhe nga ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, i cili ishte i pranishëm në pikë kalimin kufitarë në Bërnjak, për të monitoruar nga afër situatën në terren.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore