Kosova

Më 1 shtator vazhdon reciprociteti në rast se Serbia nuk e respekton marrëveshjen, thotë Kurti


Albin Kurti

Sipas Albin Kurtit, kryeministrit të Kosovës më 1 shtator kosovarët të cilët do të udhëtojnë për në Serbi nuk do të kenë nevojë të pajisen me dokumente shtesë përcjellëse, kjo fal marrëveshjes e cila, sipas Kurtit u arrit më 27 gusht.

“Nuk ka dokumente përcjellëse, pra vetëm tregohet karta e identitetit. Pra qytetari i Kosovës kur kalon nëpër Serbi ose kur shkon në Serbi do ta bëjë këtë lirisht, pa marrë asnjë dokument tjetër dhe njësoj kur vjen ai i Serbisë, qysh ka qenë edhe në të kaluarën realisht nuk do të ketë nevojë që as polici jonë t’i jap dokument shtesë”, ka njoftuar Kurti gazetarët për detajet e marrëveshjes së arritur në Bruksel.

Megjithatë ai nuk ka anashkaluar tërësisht si opsion, mundësinë që më 1 shtator të lëshohen dokumentet hyrëse-dalëse në rast se Serbia nuk e respekton marrëveshjen e 27 gushtit.

“Nëse teorikisht dhe rastësisht Serbia vazhdon të lëshojë dokumente të tilla atëherë do të detyrohemi edhe ne me bazë të parimit të reciprocitetit ta vendosim edhe ne dokumentin e hyrje-daljes të cilën siç e dini e kemi ndarë për 19 orë gjatët të hënës së 1 gushtit”, ka shtuar ai.

————————————————————————————————————————————————————————————————————————————–

Kurti: Kam dhënë të gjitha informacionet relevante partive opozitare për sa i përket dialogut  

Sipas Albin Kurtit, kryeministrit të Kosovës, në takimin informues me krerët e partive opozitare janë ndarë të gjitha informacionet relevante për sa i përket takimit të 18 gushtit me Aleksandër Vuçiç’in.

“Nëse kanë pasur informacion tjetër relevant që ua kanë dhënë ndërmjetësit, mbase do të duhej ata të tregojnë se cili është ai informacion”, ka thënë Kurti për mediat pas mbarimit të takimit informues ndërmjet tij dhe krerëve të partive opozitare.

“Partitë opozitare nuk janë absolutisht të pa informuar”, ka shtuar ai.

Sqarimi i Kurtit ka ardhur si rrjedhojë i deklaratës së kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pasi ky i fundit ka thënë se Kurti nuk ka dhënë informata shtesë për dialogun dhe se krerët e partive opozitare janë informuar më në detaje nga ndërmjetësuesi Lajçak sesa nga vetë Kurti.

Kurti ka qenë i prerë për sa i përket 1 shtatorit. Sipas tij fushata për konvertimin e targave ilegale në ato RKS, do të nis pikërisht në këtë datë.

“Fushata për ndërrim të targave, nga ato që i ka lënë regjimi i Millosheviqit e që secili pushtet i mëpasshëm i Serbisë i ka vazhduar, te ato legjitime të Republikës së Kosovës do të fillojë më 1 shtator dhe do të vazhdojë deri më 31 tetor. Gjithë qytetarët të komunitetit serb që janë qytetarë të Republikës së Kosovës i ftojmë ta shfrytëzojnë këtë incentivë, që konvertimi i targave të bëhet duke mos pasur nevojë të paguhet TVSH-ja, akciza e dogana”,  ka thënë ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore