Kosova

Osmani takohet me Hovenier: Biseduan për sigurinë në Kosovë


Vjosa Osmani dhe Jeffrey Hovenier

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Sipas komunikatës për shtyp, Osmani e Hovenier në takim kanë biseduar për sigurinë në Kosovë.

Gjithashtu, për situatën në “fushën e politikës së jashtme dhe të mbrojtjes”.

“Gjatë takimit u diskutua për vazhdimin e koordinimit mes institucioneve të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në adresimin e çështjeve prioritare”, thuhet në njoftimin e presidencës.

Ky takim vjen pas tensioneve të fundit në Veri, përcjellur edhe me deklarata që pjesë të ligjërimit kanë përshkallëzimin potencial të situatës dhe mundësinë e konfliktit të armatosur mes Kosovë e Serbisë.

Konflikt që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka theksuar në disa nga intervistat e fundit të tij, përfshirë edhe atë për agjencinë ndërkombëtare të lajmeve Reuters.

Albin Kurti ne interviste per Reuters

Për konflikt ka folur këtë të enjte edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në një konferencë për media.

Vuçiç gjatë fjalimit tha se ai është i vetëdijshëm “për planet e Prishtinës” për, siç pretendon ai, “vrasjen e serbëve në Veri”.

“Unë po i kërkoj që të mos planifikojnë arrestimin dhe vrasjen e askujt, vetëm pse i shqetëson kushdo që është i lirë, sipas tyre kushdo që është serb është kriminel”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore