Kosova

Analizë: Kurti ka treguar se është i gatshëm për marrëveshje, prandaj u shpërblye me takim në SHBA


Vjosa Osmani, Antony Blinken dhe Albin Kurti

Vjosa Osmani dhe Albin Kurti ditë më parë udhëtuan për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me qëllim të participimit në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes në fushën e energjisë në mes të Kosovës dhe Korporatës Sfidat e Mijëvjeçarit. Megjithatë një ditë para kësaj ceremonie dy liderët kosovarë u pritën nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken. Takimi me Blinken ishte i pari i këtij lloji.

Në takim – të paktën zyrtarisht – u njoftua se është diskutuar rëndësia e partneriteti SHBA-Kosovë, marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve si dhe çështja e dialogut. Për profesorin në “John Hopkins University”, Sinisha Vukoviç, takimi në fjalë ka synuar të dërgojë mesazhe që tejkalojnë marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve dhe sidomos ishte një tregues se SHBA-të janë të vetëdijshme për aktivitetet malinje të palëve të treta në rajon.

“Këto takime kërkojnë planifikim dhe organizim të përpiktë. Si i tillë, ka shumë pak, për të mos thënë aspak, vend për improvizim. Të gjitha mesazhet vlerësohen dhe formulohen javë më parë”, ka thënë Vukoviç për Albanian Post.

Në leximin e tij të situatës gjeopolitike në rajon e më gjerë, profesori Vukoviç takimin e sheh si një afirmim të mbështetjes amerikane për integrimin euroatlantik të Kosovës, edhe pse integrimet evropiane të Kosovës janë theksuar gjithmonë në të gjitha deklaratat e mëparshme të SHBA-ve.

“Administratat të ndryshme në Prishtinë gjithmonë e shikonin anëtarësimin në NATO si një nga mënyrat më domethënëse për të konsoliduar dhe garantuar sovranitetin shtetëror dhe integritetin territorial. Ky takim për herë të parë pohon se mesazhet e tilla u dëgjuan në Perëndim. Kjo do të ketë ndikim të rëndësishëm në mënyrën se si Forca e Sigurisë së Kosovës do të vazhdojë transformimin e saj në një ushtri moderne në përputhje me standardet e NATO-s”, ka shtjelluar ai.

Sinisha Vukoviç

Kurse, takimi Blinken – Osmani – Kurti, për ekspertin e marrëdhënieve ndërkombëtare, Akri Çipa, më shumë se sa një takim për të vlerësuar gjendjen aktuale të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, ka pasur për qëllim përcaktimin e prioriteteve për zhvillimet në vijim.

“Përshtypja ime është se tematikat e përfshira kanë qenë shteruese, me një sy te elementet kyçe të sigurisë, duke përfshirë atë energjetikë, dhe rritja e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës. Tema tjetër kryesore lidhet me dialogun me Serbinë, duke paraprirë zhvillimeve të rëndësishme që priten në shtator dhe në tetor. SHBA-të kanë një qëndrim më të vendosur, ndoshta edhe se BE-ja që zyrtarisht e lehtëson dialogun, për të parë hapa konkrete përpara”, ka thënë Çipa për Albanian Post.

Se pse Kurti kësaj radhe u prit nga një zyrtar i lart amerikan, pasi që të njëjtin nuk e priti askush gjatë vizitës së tij tre javore në SHBA-të, Vukoviç e lidhë me faktin se Kurti ka arritur të tregojë se ai është në gjendje të bëjë hapa para e të pajtohet të nënshkruajë marrëveshje të cilat janë në shërbim të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Papajtueshmëria e tij e shpeshtë është parë shpesh me skepticizëm në disa qarqe në Perëndim. Paqëndrueshmëria e tij për disa nga çështjet e diskutueshme nuk u favorizua. Zhvillimet e fundit i kanë dhënë atij një mbështetje, duke i bërë ato shqetësime të vjetruara dhe dytësore ndaj atyre më thelbësore dhe ekzistenciale që ishin në fokus të këtij takimi me Blinken”, ka thënë Vukoviç.

Se marrëveshja e nënshkruar për udhërrëfyesin në fushën e energjisë ka zbutur raportet SHBA-Kurti e thotë edhe Çipa.

“Nevoja për një marrëveshje të tillë ishte theksuar që në fillim të këtij viti në letrën që Sekretari Blinken i dërgoi Kryeministrit Kurti. Uashingtoni vlerëson një qasje dhe aktivizim dukshëm më të lartë të qeverisë së Kosovës, krahasuar me muajt e parë të saj, për të adresuar çështjet e mbetura pezull. Kjo për shkak se angazhimi konstruktiv i Kosovës vë në vështirësi ata që janë realisht për ta ruajtur një status quo”, ka thënë Çipa.

Akri Çipa

Në takimin e 26 korrikut të mbajtur në Uashingon, Blinken falënderoi delegacionin e Kosovës për pritjen e afganëve dhe mbështetjen e Kosovës për Ukrainën.

Ai po ashtu tregoi se në takim kanë diskutuar edhe për “çështjet kritike të sigurisë rajonale”, por nuk dha më shumë detaje.

“Shtetet e Bashkuara e mbështesin integrimin euroatlantik dhe ndërkombëtar të Kosovës, si dhe dialogun Kosovë-Serbi të lehtësuar nga BE-ja”, kishte shkruar Blinken në Twitter.

Blinken, pas takimit kishte shprehur mbështetjen amerikane për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, duke e konsideruar këtë proces si rrugë për të arritur marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve, e cila duhet të ketë në qendër njohjen reciproke

Ndërsa në një deklarim për media, pas takimit në fjalë, Osmani potencoi se takimi ishte i “shkëlqyeshëm” dhe tha se edhe një herë u konfirmua që “Kosova nuk ka mik më të madh e më të mirë sesa SHBA-të”.

Osmani tha se kanë biseduar edhe për fuqizimin e subjektivitetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, nevojën e Kosovës që të jetë anëtare e NATO-s, si dhe për “rolin konstruktiv të Kosovës në dialogun me Serbinë”.

Ndërsa Kurti takimin me Blinken e cilësoi si shumë të “përzemërt”.

Ai tha se nga Blinken kanë kërkuar shtimin e investimeve amerikane në Kosovë si dhe rritjen e shkëmbimit tregtarë midis dy vendeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore