Kosova

Kurti: Kosova feston arritjet historike të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur urime ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për hapjen e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Ai përmes një cicërime në rrjetin social “Twitter”, është shprehur se Kosova feston arritjet e tyre historike.

“Urime Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për hapjen e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Kosova feston arritjet tuaja historike dhe bashkohet me angazhimin tuaj drejt reformave që do të transformojnë vendet tuaja dhe do të forcojnë rajonin dhe Evropën tonë”, ka deklaruar Kurti.

Në rastin e hapjes zyrtare të negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut me Bashkimin Evropian, ka uruar edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Edhe Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, ka përgëzuar Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për hapjen e negociatave, derisa i është drejtuar BE-së që të liberalizojë vizat për qytetarët e Kosovës.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, së bashku me homologun e tij maqedonas, Dimitar Kovaçevski, janë takuar me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në prag të nisjes zyrtare të bisedimeve mes dy vendeve ballkanike dhe Bashkimit Evropian.

Kjo ka qenë pamja e parë e liderëve ballkanikë në Bruksel, së bashku me presidenten e KE-së.

Disa tryeza me shumë rëndësi dhe konferenca të shumëfishta për shtyp do të zhvillohen ndërkaq përgjatë kursit të ditës, me një agjendë shumë intensive për delegacionin shqiptar dhe atë maqedonas.

Pas vitesh të tëra pritje, gjenerata e re e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe BE-së, merr jetë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore