Kosova

Von Cramon takohet me përfaqësues të “Europa Nostra”, kërkon përmirësim në mbrojtjen e Manastirit të Deçanit


Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon në takim me përfaqësues të organizatës “Europa Nostra”.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon është takuar me përfaqësues të organizatës “Europa Nostra”, të cilët disa ditë më parë e kishin konsideruar të rrezikuar Manastirin e Deçanit.

Von Cramon përmes një cicërime në rrjetin social ‘Twitter’, ka bërë të ditur se ka pasur një takim të hapur dhe produktiv me përfaqësues të “Europa Nostra” lidhur me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

“Takimi i hapur dhe produktiv me organizatën Europa Nostra për nevojën për të përmirësuar mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të rrezikuar në të gjithë Evropën, me fokus të veçantë në Manastirin e Deçanit dhe trashëgiminë kulturore të shkatërruar në Ukrainë”, shkruan von Cramon.

Për këtë takim kanë shkruar edhe nga organizata “Europa Nostra”.

“Shumë faleminderit eurodeputetes Viola von Cramon për interesin dhe mbështetjen për ruajtjen e trashëgimisë së rrezikuar në Evropë në tërësi, duke përfshirë Ballkanin Perëndimor dhe Ukrainën”.

“Ne nuk mund të ndërtojmë një të ardhme të përbashkët pa mirëkuptimin dhe kujdesin e duhur për trashëgiminë dhe historinë tonë të përbashkët”, ka shkruar kjo organizatë.

Gjatë këtij muaji në Kosovë kanë qëndruar për vizitë përfaqësuesit e Shoqatës “Europa Nostra” të cilët janë takuar me komandantin e KFOR-it në Kosovë, Ferenc Kajari, por edhe ministrin e Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe atë të Kulturës, Hajrullah Çekun.

Aliu ka thënë të premten se “përfshirja e Manastirit të Deçanit në listën e 7 lokaliteteve më të rrezikuara në Evropë nuk është e drejtë”, sipas tij “pasi që nuk është e bazuar në argumente profesionale dhe nuk reflekton pasqyrën reale të Manastirit”.

“Europa Nostra” e ka futur Manastirin e Deçanit në mesin e shtatëve monumenteve më të rrezikuara të trashëgimisë.

Në vitin 2008, Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për zona të veçanta të Mbrojtura, i cili duhet të sigurojë mbrojtjen e manastireve ortodokse serbe, kishave, vendeve të tjera fetare, si dhe vendeve historike dhe kulturore të një rëndësie të veçantë për komunitetin serb si dhe për komunitetet tjera në Republikën e Kosovës. Manastiri i Deçanit është njëra nga zonat e mbrojtura, sipas këtij ligji.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore