Kosova

Vdes njëri nga të lënduarit në aksidentin me autoambulancë në Gjakovë


Aksidenti në Gjakovë.

Si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur të enjten në Gjakovë një person ka vdekur.

Kështu është bërë e ditur në njoftimin e Policisë së Kosovës, derisa thuhet se deri te aksidenti ka ardhur pasi një veturë me një autoambulancë e cila ka qenë duke i transportuar disa persona të lënduar nga një vetaksident.

“Si pasojë e aksidentit pesë persona të gjithë meshkuj kosovarë kanë pësuar lëndime trupore për të cilat kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa njëri nga të lënduarit ka vdekur, me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion, kurse i dyshuari që ka shkaktuar aksidentin me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.

Aksidenti në Gjakovë.

Ndryshe, një autoambulancë është aksidentuar të enjten në lagjen “Dardania” në Gjakovë, ku kanë mbetur të lënduar gjashtë persona.

Lajmin për Albanian Post e kishte konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.

Ne mesin e të lënduarve janë dy pacientë, të cilët po transportoheshin me autoambulancë për në spital.

“Sot me datën 30.06.2022 rreth orës 12:05, është pranuar informacion për një aksident trafiku në lagjen “Dardania” në Gjakovë në mes të një autoambulance dhe një veture”.

“Si pasojë e aksidentit përveç dëmeve materiale, 6 persona kanë pësuar lëndime trupore dhe të njëjtit janë dërguar në Spitalin Rajonal në Gjakovë. Njesitet relevante të policisë dhe Prokurori i Shtetit kanë dalë në vendin e ngjarjes. Rasti është duke vazhduar me hetime mbi aksidentin”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore