Kosova

Cramon: Këshilluam Kosovën që të mos aplikojë në KiE derisa të sigurojë votat e mjaftueshme


Viola von Cramon

Sipas raportueses për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, partnerët evropianë kanë këshilluar qeverinë e Kosovës, që kjo e fundit të mos aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës, para se Kosova të sigurojë shumicën e votave të nevojshme për të qenë pjesë e kësaj organizate.

Von Cramon, përmes një statusi në rrjetin e saj social në Twitter, ka bërë të ditur se një qëndrim të tillë kanë mbajtur pothuajse të gjithë partnerët ndërkombëtarë të Kosovës.

“Edhe pse shumë njerëz e mbështesin aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, ata të gjithë kanë këshilluar qeverinë që të presë për sa i përket dorëzimit të aplikacionit dhe të sigurohet që Kosova ka siguruar shumicën në Këshillin e Evropës. Pak a shumë të gjithë partnerët ndërkombëtarë e kanë thënë këtë”, ka shkruar Cramon.

Ndryshe, Kosova zyrtarisht ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës, më 12 maj.

Këtë e kishte bërë të ditur, shefi i kabinetit të ministres së Punëve të Jashtme të Kosovës, Sharr Jakupi, përmes një postimi në rrjetin e tij social Twitter, ku ndër të tjera ka njoftuar se Gërvalla personalisht ka dorëzuar aplikimin në këtë organizatë, pas takimit që ajo ka realizuar me zyrtarët e Këshillit të Evropës.

Në anën tjetër krerët institucional kosovarë kanë pranuar mbështetje verbale nga një numër i konsiderueshëm i partnerëve ndërkombëtare, se këta të fundit do ta mbështesin Kosovën në rrugën e saj drejtë anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore