Kosova

Nënshkruhet traktati për transferimin e të burgosurve danezë në Kosovë


Ilustrim

Këtë të martë e 26 prillit, është nënshkruar Traktati për transferimin e të dënuarve nga Mbretëria e Danimarkës në Kosovë me qëllim të ekzekutimit të dënimeve të burgosurve danez në Kosovë.

Një gjë e tillë është bërë e ditur në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë, ku mes tjerash thuhet se nënshkrimi i Traktatit në fjalë vjen pas nënshkrimit të letër-qëllimeve ndërmjet ministrave të drejtësisë dhe ekonomisë së të dy vendeve me datën 21 dhjetor 2021, i cili shprehë përkushtimin për zgjerimin e bashkëpunimit politik dhe zhvillimor, duke nxitur dhe thelluar tutje partneritetin ndërmjet dy vendeve, në fusha me interes të përbashkët.

“Ministrja e Drejtësisë në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu dhe homologu i saj, nga Qeveria e Mbretërisë së Danimarkës, Nick Haekkerup, sot nënshkruan Traktatin i cili i hapë rrugë bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në avancimin e shërbimeve korrektuese, sikurse edhe përkrahjen e projekteve për energji të gjelbër si dhe promovimin e sundimit të ligjit, demokracisë dhe të drejtave të njeriut ndërmjet dy vendeve”, thuhet në komunikatën për media.

Ndryshe Kosova dhe Danimarka, kishin arritur një marrëveshje, me të cilën Danimarka dërgon 300 të burgosur për të vuajtur dënimin në Kosovë.

Nga kjo marrëveshje e cila është e vlefshme për 10 vjet, Kosova do të përfitojë 210 milionë euro.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore