Kosova

Kurti: Kosova më herët futet në NATO, sesa në BE


Albin Kurti

“Kosova dhe Greqia ka një urë të cilën duhet ta kapërcejmë, ka ardhur koha që Greqia ta njohë Kosovën”.

Kështu është deklaruar Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë një bashkëbisedimi me gazetaren e “Politico Europe” Nekatria Stamuoli, në margjinat e Forumit Ekonomik të Delfit, në Greqi.

Sipas të parit të ekzekutivit, Kosova dhe Greqia nuk kanë çështje të pazgjidhura mes vete.

“Ne kemi komunikim dhe bashkëpunim shumë të mirë me Greqinë – populli i Kosovës me popullin grek, qeveria e Kosovës me qeverinë greke. Ka ardhur koha që Greqia ta njohë Kosovën dhe para kësaj, dhe sidomos pas kësaj, do të mund të rrisnim bashkëpunimin tonë ekonomik me investime ekonomike, por edhe këmbimet tona tregtare”, ka thënë Kurti.

Për Kurti, Greqia është lidere rajonale dhe si e tillë do të mund të ndihmonte Kosovën shumë në konsolidimin e shtetësisë së saj në arenën ndërkombëtare.

Kurti më tej gjatë bashkëbisedimit, ka potencuar se Kosova ka gjasa të hyjë në NATO më herët sesa në Bashkimin Evropian, për të vetmen arsye – rrethanave gjeopolitike pas invazionit rus në Ukrainë.

“Duam të hyjmë në NATO dhe BE, por është shumë e mundshme që për shkak të faktorëve të shumtë së pari do të hyjmë në NATO dhe pastaj në BE. Jemi vend që kërkon njohje të reja në botë, por në veçanti në kontinentin evropian sepse kemi pesë shtete në BE dhe katër në NATO që s’na kanë njohur dhe shpresoj që edhe këto shtete do t’i bashkohen së shpejti shumicës së shteteve anëtare që është qenësore jo veç për gjeneratën tonë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore