Kosova

Kosova dhe Zvicra nënshkruajnë marrëveshje për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet penale


Albulena Haxhiu dhe Thomas Kolly

Ministria e Drejtësisë dhe Ambasada e Zvicrës në Kosovë, të martën e 5 prillit, kanë nënshkruar marrëveshjen për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet penale, ku me ç’rast ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka bërë të ditur se marrëveshja synon bashkëpunimin e të dyja shteteve në fushën e çështjeve penale.

Sipas Haxhiut, marrëveshja është hartuar në bazë të rregullave dhe parimeve nga konventat e Këshillit të Evropës duke u bazuar në standardet ndërkombëtare të mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

“Kjo marrëveshje parasheh marrjen e dëshmive, komunikimin e drejtpërdrejtë mes organeve tona gjyqësore, themelimin e grupeve të përbashkëta”, ka shtuar Haxhiu.

Haxhiu, më tej ka bërë të ditur se dikasteri të cilën ajo drejton do të tentojë që marrëveshje të tilla të lidhë edhe me shtete të tjera.

“Ne kemi marrëveshje me disa vende megjithatë ne kemi planifikuar që të shohim se cilat janë disa prej vendeve me të cilat ende nuk kemi marrëveshje në mënyrë që të nisim diskutimet në raport me lidhjen e marrëveshjeve. Tani jemi në proces me Francën dhe janë duke vazhduar negociatat me këtë shtet dhe po ashtu kemi shprehur gatishmërinë që të lidhim marrëveshje edhe me Kroacinë dhe jemi në pritje të përgjigjes së tyre”, tha tutje ajo.

Nënshkrimi i marrëveshjes në fjalë u bë nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore