Lajme

Gazetarja ruse që protestoi kundër luftës në Ukrainë, ‘jashtëzakonisht e shqetësuar’ për sigurinë e saj


Një gazetare që ndërpreu një program të drejtpërdrejtë lajmesh në televizionin shtetëror rus të hënën e 14 marsit për të protestuar kundër luftës në Ukrainë, thotë se është “jashtëzakonisht e shqetësuar” për sigurinë e saj.

Marina Ovsyannikova u gjobit me 30 mijë rubla (215 paund) për shkeljen e ligjeve të protestës disa orë pasi ajo shpërtheu në një transmetim të drejtpërdrejtë të lajmeve në “Channel One” në një demonstratë kundër pushtimit rus të Ukrainës.

Në një intervistë me agjencinë e lajmeve ndërkombëtare “Reuters”, Ovsyannikova tha se nuk kishte plane të ikte nga Rusia dhe se shpresonte se nuk do të përballej me akuza penale.

Ajo i tha “Reuters” se, “unë besoj në atë që bëra, por tani e kuptoj shkallën e problemeve me të cilat do të më duhet të përballem dhe, natyrisht, jam jashtëzakonisht i shqetësuar për sigurinë time”.

Më tej gazetarja tha se, “nuk ndihem absolutisht si hero. E dini, dua shumë të ndjej se kjo sakrificë nuk ishte e kotë dhe se njerëzit do të hapin sytë”.

Ovsyannikova tha se dëshironte jo vetëm të protestonte kundër luftës në Ukrainë, por gjithashtu t’u dërgonte një mesazh drejtpërdrejt rusëve.

“Mos u bëni zombie të tillë, mos e dëgjoni këtë propagandë, mësoni se si të analizoni informacionin, mësoni se si të gjeni burime të tjera informacioni – jo vetëm televizionin shtetëror rus”, e përmbylli ajo.

Kujtojmë që kjo është dita e 21-të e luftimeve mes Rusisë dhe Ukrainës. Kjo e fundit ka bërë një rezistencë të lartë kundër trupave dhe bombardimeve ruse.

Sipas OKB-së, rreth 3 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina dhe numri i ushtarëve rusë të vrarë nuk dihet ende – mendohet mbi 11 mijë.

Ndërsa rreth 2 mijë e 500 civilë janë vrarë vetëm në Mariupol nga bombardimet ruse – mes tyre edhe fëmijë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore