Kosova

Osmani nuk përgjigjet për deklaratat e bashkëshortit, nervozohet me gazetarët


Albin Kurti dhe Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka refuzuar të komentojë deklaratat e bashkëshortit të saj, Prindon Sadriu, i cili para dy ditësh përmes një statusi në rrjetin e tij social në Facebook i ka quajtur mediat e Kosovës “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale”.

Ajo ka refuzuar të përgjigjet në pyetjen e gazetares, e cila ishte drejtuar presidentes në lidhje me deklaratat Zotëriut të Parë, në përfundim të ceremonisë së ndarjes së medaljes presidenciale familjarëve të aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mon Balaj dhe Arben Xheladini, të vrarë më 10 shkurt të vitit 2007.

“Jemi në takim, është tepër jo korrekte në raport me familjet”, ka theksuar Osmani.

“Komenti im është se jeni duke i ofenduar familjet që janë këtu për momentin dhe keni hyrë brenda për të marrë pamje edhe pse nuk na keni paralajmëruar që do të vini”, ka shtuar ajo.

Osmani e tensionuar me situatën e krijuar ka bërë të ditur se për këtë çështje ajo do të përgjigjet në intervista të tjera.

Në takimin ku Osmani ka ndarë medalje presidenciale familjarëve të Mon Balaj dhe Arben Xheladini prezent ishte edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ndryshe Prindon Sadriu, më tetë shkurt përmes një statusi në rrjetin e tij social në Facebook – të cilën e ka fshirë një ditë më pas- ka kritikuar mediat në Kosovë duke i quajtur ato si “ndërmarrje e përbashkët kriminale”, pasi këta të fundit raportuan se Osmani, sa ishte deputet, ishte kompensuar me 4 mijë euro, për derivatet e shpenzuar, përkundër se ajo jetonte në Prishtinë dhe se sipas rregullores deputetët që jetojnë në kryeqytet nuk kanë të drejtë kompensimin.

Gjuha linçuese e Zotëriut të Parë ka marrë vëmendje edhe të Federatës Evropiane të Gazetarëve, të cilët reaguan pas deklaratave të tij denigruese ndaj gazetarëve dhe mediave.

Përmes një cicërime në Twitter, kjo federatë i ka bërë thirrje Sadriut të ndalojë sulmet ndaj fjalës së lirë të gazetarëve.

Shkrimin e Prindon Sadriut e ka cilësuar si fushatë denigruese kundër gazetarëve edhe Raportuesja për Kosovë në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore