Sport

Arbër Hoxha transferohet te skuadra tjetër kroate


Futbollisti nga Kosova, Arbër Hoxha, është transferuar te skuadra nga Liga e Parë e Kroacisë, Slaven Belupo.

Hoxha përfundoi transferimin e tij gjatë ditës së marte nga skuadra e Lokomotivës së Zagrebit, i cili tashmë ka nënshkruar kontratë tre-vjeçare me klubin e Slaven Belupo-s.

Lajmin për transferimin e 23 vjeçarit e ka bërë të ditur vetë klubi i Slaven Belupo, të cilët njoftuan se sulmuesi anësor do të jetë i gatshëm që në ndeshjen e ardhshme.

“Arbër Hoxha është lojtari i ri i Slaven Belupo-s. Ai sot ka nënshkruar kontratë tre-vjeçare, ndërsa nga ndeshja e së dielës me Hajduk-un do të jetë në dispozicion të trajnerit Zoran Zekiq”, thuhet në njoftimin e klubit.

“Hoxha është një kosovar i lindur në Heidelberg të Gjermanisë. Ai mund të luajë në të gjitha pozitat në sulm, ndërsa në karrierën e tij ka luajtur për FC Ballkani, FC Prishtina, FC Besa, FC Istogu dhe FC Hajvalija në Kosovë dhe për Lokomotivën e Zagrebit në Kroavi”, shkruan klubi kroat.

Kujtojmë që Arbëri e nisi karrierën e tij te klubi i Istogut, i cili më pas u transferua te Prishtina ku luajti për një periudhë më të gjatë.

Pastaj kaloi në klube tjera kosovare, si: Hajvalia, Besa e Ballkani, para se të transferohej në Kroaci te Lokomotiva e Zagrebit gjatë verës së kaluar.

Me Lokomotivën, Hoxha nuk pati shumë suksese, i cili numëron vetëm 325 minuta në të gjitha garat, duke mos lënë asnjë gjurmë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore