Shqipëria

Dosja 184/ Shkarkohet nga detyra prokurorja e Dibrës për shkelje disiplinore


Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP), të hënën e 31 janarit, ka pranuar kërkesën e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë për shkarkimin e prokurores pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, Belina Zeneli.

Sipas njoftimit zyrtar të KLP-së, Zeneli rezultoi se kishte zvarritur disa akte procedural përgjatë periudhës 2013-2021.

Nga hetimi disiplinor u konkludua se, veprimet dhe mosveprimet e prokurores përbejnë mospërmbushje të pajustifikuar dhe të përsëritur të funksioneve gjatë hetimit”, duke sjellë zvarritje të pajustifikuara të akteve procedurale, të cilat janë të detyrueshme për zbatim nga ana e magjistratëve.

Gjithashtu shkruhej se veprimet e Zenelit “kanë sjellë pasoja në dhënien e drejtësisë”, si dhe “kanë cenuar imazhin e organit të akuzës, duke ulur besimin e publikut tek drejtësia”.

Belina Zeneli është bashkëshortja e kandidatit të Grupit të Rithemelimit për Bashkinë e Dibrës, Premtim Kryemadhi.

Kujtojmë që prokuroja Zeneli, bashkë me kolegun Rifat Kojku, në 2019-n, ishin përcaktuar në hetimin e dosjes “184”, për shitblerjen e votave në zgjedhjet e pjesshme lokale në Dibër, që u mbajtën në 2016-n.

Dosja 184

Dosja 184, e njohur edhe si dosja e vjedhjes dhe shit-blerjes së votave denonconte zgjedhjet e vitit 2016, në Dibër. Kjo dosje u denoncua nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Në përgjime përfshihen edhe deputetë socialistë në biseda me policinë, biznesmenë, persona të dyshimtë dhe të tjerë të paidentifikuar.

Prokuroria ngriti akuza  mbi katër persona për “shpërdorim detyre” dhe “kanosje të zgjedhësve”. Ndërkohë që për pjesën tjetër të personave nën hetim kërkoi pushimin e çështjes për shkak të tejkalimit të afatit trevjeçar nga prokuroria e Dibrës.

Që prej muajit korrik të vitit 2019,  dosja 184  kaloi si “boomerang” nga Prokuroria e Dibrës në Prokurorinë e Tiranës.

Më pas kaloi në Prokurorinë e Krimeve  të Rënda Tiranë dhe në Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Kjo e fundit nuk pranoi ta shqyrtonte duke ia kaluar sërish në kompetencë Prokurorisë së Dibrës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore