Kosova

Të enjten mbahet seanca plenare e kuvendit


Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, gjatë mbledhjes së ditës së hënë ka përcaktuar agjendën e Kuvendit për këtë javë.

Nën drejtimin e kryetarit Glauk Konjufca, kryesia vendosi që të enjten më 20 janar, Kuvendi do të mblidhet në seancë plenare.

Në këtë seancë pritet që të shqyrtohen disa projektligje, të mbahet debat dhe shqyrtimi i çështjeve tjera të përcaktuar në rend të ditës.

Në mbledhjen e sotme të kryesisë nuk morën pjesë përfaqësuesit e Listës Serbe, por as edhe të pakicave tjera, dhe kjo nxiti reagimin e shefit të Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri.

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri

Në një prononcim për media, ai komentoi kërcënimin e ministrit serb në Qeverinë e Kosovës, Goran Rakiç, i cili pas moslejimit të referendumit serb brenda Kosovës, tha se “do të kundërpërgjigjemi me reciprocitet”.

Sipas Tahirit, Rakiç këtë gjë duhet t’ia adresojë Kryeminstrit Kurti, dhe pastaj ai të vendosë nëse do ta mbajë ministrin serb në kabinet apo jo.

Pas deklaratës së Rakiç, i cili tha se do të vendoset reciprociteti nëse në Kosovë nuk lejohet votimi në zgjedhjet e 3 prillit, reagoi edhe Mimoza Kusari, shefe e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes.

Mimoza Kusari-Lila , Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje

“Kosova është shtet multietnik, prandaj si koncept i tillë në kuadër të territorit të Kosovës nuk mund të aplikohet dhe nuk ekziston. Rezoluta ka rikonfirmuar edhe vullnetin e të gjitha partive politike, në raport me një proces që shkel sovranitetin dhe kushtetutshmërinë e Kosovës”, deklaroi Kusari-Lila.

Më tepër rreth “kërcënimeve” të Rakiç, siç konsiderohen nga Besnik Tahiri, do të debatohet edhe në seancën plenare të kuvendit më 20 janar, që do të jetë edhe seanca hapëse e sesionit pranveror.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore