Kosova

Arrestohet personi i katërt për grabitjen në Prizren


Ilustrim

Në Prishtinë, është arrestuar edhe personi i katërt i dyshuar për tentim-grabitje në një argjendari në Prizren, ku mbeten të plagosur babë e bir.

Këtë e ka konfirmuar për Albanian Post, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, për rajonin e Prizrenit, Shaban Osmanollaj.

“Po, është arrestuar personi i katër sot në Prishtinë rreth orës 17:02”, ka thënë ai.

Ndërkaq, me 18 nëntor, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Admir Shala, kishte njoftuar se në pranga janë vënë tre persona të dyshuar për tentim-grabitjen në një argjendari në Prizren.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Admir Shala dhe policia e Kosovës gjatë konferencës për media.

“Janë arrestuar tre të dyshuar, dy janë arrestuar gjatë bastisjes me urdhër të gjykatës, njëri është arrestuar mbrëmë. Për momentin është bërë parashtresë për caktimin e masës së paraburgimit”, kishte thënë Shala në konferencë për media.

Ai kishte sqaruar më tej se gjatë ballafaqimit me grabitësit ka pas edhe shkrepje përmes armëve.

“Gjatë ballafaqimit me grabitësit ka pas edhe shkrepje me armë, por të njëjtit që kanë qenë të armatosur kanë arritur të largohen në drejtim të autostradës”, kishte thënë ndër të tjera kryeprokurori.

Kurse, me 15 nëntor, një person ka mbetur i plagosur gjatë një tentim grabitje në një argjendari në qytetin e Prizrenit të hënën pasdite.

Rastin për Albanian Post e kishte konfirmuar, Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaban Osmanollaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore