Kosova

Kurti dhe ambasadorja e Francës diskutojnë për projektet e energjisë


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe ambasadorja e Francës në Kosovë, Marie Christine Butel.

Bashkëpunimi në projekte zhvillimore në fushën e energjisë dhe ujësjellësve, ishin temat kyçe në takimin ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe ambasadores së Francës në Kosovë, Marie Christine Butel.

Në këtë takim është theksuar domosdoshmëria e ndërmarrjes së veprimeve në mbrojtjen e burimeve ujore dhe zhvillimin e ekonomisë së qëndrueshme.

“Në këtë takim të përbashkët me Ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, u bisedua edhe për të arriturat kryesore të Qeverisë në këta shtatë muaj, punën drejt reformave thelbësore dhe zhvillimit ekonomik e shoqëror të Kosovës”, thuhet në njoftimin për media.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe ambasadorja e Francës në Kosovë, Marie Christine Butel.

Po ashtu është biseduar edhe për projektin e mbështetur nga ambasada franceze në Kosovë për ujësjellësin në kryeqytet.

“U ritheksua përkushtimi për intensifikim të marrëdhënieve bilaterale në rrafshin politik dhe ekonomik. Ambasadorja Butel rikonfirmoi përkrahjen e Ambasadës së Francës në Kosovë për projektet në fusha të ndryshme të bashkëpunimit Francë-Kosovë”.

Ndërsa, kryeministri Kurti e njoftoi ambasadoren për impiantin e parë për trajtimin e ujërave të ndotura urbane, të përuruar dje në Prizren si dhe projektet që po zhvillohen për impiantet e trajtimit të ujërave të ndotura në komunat e tjera.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore