Shqipëria

Shqipëria gati për Defender 2023 pas suksesit të këtij viti


Prej pak muajsh, stërvitja më e madhe ushtarake ballkanike në tre dekadat e fundit, Defender Europe 2021, e përmbylli misionin në Shqipëri, por menjëherë, puna ka nisur që vendi të mirëpresë sërish një stërvitje po aq të madhe, nën emrin Defender 2023.

Një konferencë koordinuese, është zhvilluar mes ministrit të Mbrojtjes Niko Peleshi, shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneralmajor Bajram Begaj, ambasadorja e SHBA në Tiranë Yuri Kim si dhe përfaqësues të lartë ushtarakë të SHBA dhe Shqipërisë.

“Kjo stërvitje shkon përtej gjithë dimensionit ushtarak”, tha në fjalën e mbajtur ministri Peleshi. “Konfirmoj përfshirjen dhe gatishmërinë e të gjithë qeverisë për të ndihmuar dhe lehtësuar të gjitha kërkesat specifike për projektin e ri”.

Sipas ministrit, stërvitje të tilla, tregojnë rëndësinë strategjike të Shqipërisë. Po ashtu, edhe angazhimin e madh të vendit në NATO.

“Të shohësh flamujt e vendeve tona në uniformat e atyre që stërviten krah për krah, dërgon një mesazh të fuqishëm për miqtë tanë. Po ashtu edhe për kundërshtarët tanë”.

Kështu ka deklaruar nga ana tjetër ambasadorja Kim, në fjalën e saj përballë trupave ushtarake.

Sipas Kim, Shqipëria dhe SHBA-të nuk do të prapësohen nga mbrojtja e vendeve mike.

Në të njëjtën linjë ishte edhe Begaj. Ai është i bindur se mesazhi i kësaj iniciative, është mjaft i qartë për të gjithë.

Ndërsa Kim, ravijëzoi edhe faktin se “më shumë se çfarë ka bërë Shqipëria, nuk mund të kërkohet”.

Më 17 maj 2021, kontingjenti i parë me 267 ushtarë amerikanë, zbarkoi në Shqipëri. Në tërësi, në dy muaj, rreth 6 mijë trupa amerikanë fluturuan për stërvitjen Defender 2021 në vend.

Nga të gjithë faktorët ndërkombëtarë, ajo u cilësua si një sukses i madh për Shqipërinë dhe forcat aleate të NATO-s.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore