Kosova

Partitë opozitare në takim me Von Cramonin, diskutojnë për zgjedhjet lokale


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku dhe Raportuesja për Kosovën, Viola Von Cramon.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj kanë pritur të shtunën në takim delegacionin e Parlamentit Evropian të udhëhequr nga Raportuesja për Kosovën, Viola Von Cramon.

Delegacioni nga PE-ja, do të jenë pjesë e Misionit Vëzhgues të BE-së në këto zgjedhje.

LDK, përmes një njoftimi për media ka shprehur mirënjohjen për prezencën e misionit vëzhgues në monitorim të zgjedhjeve lokale në Kosovë.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku dhe Raportuesja për Kosovën, Viola Von Cramon.

“Eurodeputetët shfaqën interesimin e tyre për përgatitjet e LDK-së për zgjedhjet dhe uruan për mbarëvajtjen e tyre. Kryetari Abdixhiku shprehu mirënjohjen për prezencën e misionit vëzhgues në monitorim të zgjedhjeve duke theksuar nevojën për një proces fer e demokratik”, thuhet në njoftimin e LDK-së.

Edhe, kreu i AAK-së ka njoftuar se ka pritur në takim Von Cramonin dhe bëri të ditur se kanë biseduar në lidhje me procesin zgjedhor.

“Bashkëbiseduam me eurodeputetët për procesin zgjedhor, pjekurinë politike e demokratike të Kosovës në këto zgjedhje, e po ashtu edhe për sfidat e organizimit të fushatës në gjendje pandemike”, ka shkruar Haradinaj.

Duke shtuar se, “Falënderova Misionin Vëzhgues të BE-së, për punën e tyre të vazhdueshme në monitorimin e zgjedhjeve dhe mbështetjen e tyre për demokraci sa më të konsoliduar në vendin tonë”.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe Raportuesja për Kosovën, Viola Von Cramon.

Të shtunën e 16 tetorit, edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me zëvendëskryeministrin për Integrime Evropiane, Zhvillim dhe Dialog, kanë pritur në takim një delegacion të Parlamentit Evropian të udhëhequr nga përfaqësuesja për Kosovën në parlament, Viola von Cramon.

Për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 17 tetor kanë aplikuar 94 subjekte politike, prej tyre, 32 parti, një koalicion, 35 iniciativa qytetare dhe 26 kandidatë të pavarur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore