Kosova

Kurti ju sqaron eurodeputetëve aksionin e Policisë në Veri


Takimi i kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit me eurodeputet.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me zëvendëskryeministrin për Intetgrime Evropiane, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi të shtunën pritën në takim një delegacion të Parlamentit Evropian të udhëhequr nga përfaqësuesja për Kosovën në parlament, Viola von Cramon.

Gjatë këtij takimi, ai është pyetur nga eurodeputetët lidhur me aksionin e Policisë së Kosovës të datës 13 tetor, Kurti u ka thënë atyre se operacioni ishte kundër kontrabandës dhe kriminalitetit dhe përfshinte 26 lokacione të ndryshme në gjithë territorin, pesë nga to në Mitrovicën e Veriut.

“Ky ishte një operacion normal i Policisë, e cila ka kryer punën në mënyrë profesionale dhe sipas procedurave ligjore”, ka thënë Kurti.

Ndërkaq, për dialogun Kosovë-Serbi, ai tha se nuk kanë alternativë, por duhet kuptuar se as njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia nuk ka alternativë.

Takimi i kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit me eurodeputet.

“Në dialog në Bruksel jemi për një kapitull të ri të normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve tona, ku zgjidhim çështjet e pazgjidhura me njohje reciproke”.

Kurti kërkoi nga deputetët e Parlamentit Evropian që të jenë më të zëshëm në mbështetje të demokracisë, sundimit të ligjit dhe lirisë së mediave e të mendimit në Ballkanin Perëndimor dhe ritheksoi se nuk duhet të ketë fonde të BE-së pa pranimin e vlerave të BE-së.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri Bislimi foli për mbarëvajtjen e negociatave për zgjidhjen e përkohshme për targat dhe pritjet për gjetjen e zgjidhjes së përhershme.

Përfaqësuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon falënderoi institucionet e Kosovës për pranimin dhe ndihmën e ofruar për refugjatët afganë, si dhe i përgëzoi për reformat e nisura në drejtësi, përkushtimin për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe për ruajtjen e stabilitetit institucional.

Përfaqësuesja për Kosovën në parlament evropian, Viola von Cramon.

Pjesë e delegacionit ishin edhe europarlamentarët Roza Thun und Hohenstein (EPP), Evin Incir (SD), Thijs Reuten (SD), Javier Nart (RENEË Europe), Michele Rivasi (Greens/EFA), Timo Knaute, përfaqësuesit e Sekretariatit të Parlamentit Evropian Francesco Ronchi, Raffaele Luise, Michele Rivasi, këshilltarët politikë Blagoy Klimov, Jörgen Sil, Simon Schelde Christensen, Gesa Storz.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore