Kosova

Kosova dhe Sllovenia nënshkruajnë marrëveshje për mbrojtje nga fatkeqësitë natyrore


Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe ministri i Mbrojtjes të Sllovenisë, Matej Toni.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla së bashku me zëvendëskryeministrin dhe njëherësh ministrin e Mbrojtjes të Sllovenisë, Matej Toni të enjten kanë nënshkruar marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Sllovonisë për bashkëpunim në mbrojtjen nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë e tjera.

Në njoftimin e bërë nga MPB thuhet se marrëveshje rregullon çështje në disa prej fushave të ndryshme.

“Me marrëveshjen e nënshkruar, bashkëpunimi mes dy vendeve do të zhvillohet në fusha të ndryshme. Përveç mbrojtjes nga fatkeqësitë dhe ndihmës për shpëtimin dhe lehtësimin e fatkeqësive, marrëveshja gjithashtu parashikon bashkëpunim në shkëmbimin e njohurive shkencore dhe teknike dhe transferimin e ekspertizës për mbrojtjen nga katastrofat, edukimin dhe trajnimin e personelit të përfshirë në aktivitetet e mbrojtjes dhe shpëtimit, zhvillimin dhe prodhimin e pajisjeve mbrojtëse dhe të shpëtimit”.

Tutje në njoftim thuhet se, “Të dy vendet gjithashtu do të bashkëpunojnë edhe në informimin e njëri -tjetrit në lidhje me rreziqet e aksidenteve dhe pasojat e tyre”.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, ministri Sveçla i shoqëruar nga zëvendësministri Gashani, ka zhvilluar një bisedë me ministrin Toni ku është diskutuar për rëndësinë e kësaj marrëveshje si dhe për mundësitë e bashkëpunimit në fusha të ndryshme ndërmjet dy shteteve.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe ministri i Mbrojtjes të Sllovenisë, Matej Toni.

Po ashtu, ai së bashku me zëvendësministrin Gashani morën pjesë në ceremoninë e mbylljes së ushtrimit ndërkombëtar “Siquake 2021”, që po zhvillohet në Lubjanë.

Gjatë kësaj ceremonie kanë zhvilluar bisedë edhe me Komisionin Evropian për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarčič.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore