Kosova

“Më mirë vonë se kurrë”, Hoxhaj për reciprocitetin


Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj përmes një postimi në Facebook, ka thënë se mirëpresin vullnetin e Qeverisë së Kosovës për të implementuar marrëveshjet që ka prodhuar dialogu mes Kosovës dhe Serbisë.

“Mirëpres vullnetin e Qeverisë së Kosovës për të implementuar marrëveshjet që ka prodhuar dialogu Kosovë-Serbi. Vendime të tilla duhet t’i shërbejnë përmbylljes së shtetësisë së Kosovës, jo hapjes së fushatës zgjedhore. Kryeministri Kurti që në të kaluarën ka mohuar rezultatet e dialogut, sot po zbaton marrëveshjet dhe afrimon ato! Më mirë vonë se kurrë”, shkruan Hoxhaj.

Ai tutje u shpreh se të gjithë në këto momente janë me mendje e më zemër me pjesëtaret e Policisë së Kosovës.

“Por ne që ishim në qeveri dhe që tash jemi në opozitë, s’duhet të jemi vonë karshi interesit shtetëror. Është e shëndetshme për demokracinë e brendshme në Kosovë të kemi dallime politike, por jo edhe përballë agresionit të Serbisë dhe kur jemi në të drejtën tonë si shtet! Në këto momente, të gjithë jemi me mendje dhe zemër me pjesëtarët e Policisë së Kosovës, të cilët në dekadën e fundit kanë dëshmuar se janë gardianët më të mëdhenj të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës”.

Ndërsa shtoi se  “Shpresoj që ky reciprocitet i pjesshëm të koordinohet plotësisht me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian për të prodhuar më shumë ushtrim të sovranitetit se lajme ditore”.

Heqja e targave serbe dhe vendosja e targave te Kosoves.

Hoxhaj tha se vendime të tilla strategjike duhet të kenë edhe veprim politik e krijim të fakteve brenda Kosovës.

“Vendime të tilla strategjike kërkojnë veprim politik e krijim të fakteve brenda Kosovës, koordinim të jashtëm me partnerët strategjikë të Kosovës, por edhe betejë diplomatike me kundërshtarët e shtetit tonë! Vetëm kështu përmbushen qëllimet dhe mënjohen pasojat që mund të prodhojë gjendja në veri të vendit”.

Që nga orët e hershme të mëngjesit të 20 shtatorit, Policia e Kosovës, konkretisht Njësia Speciale Operative është vendosur në pikë kalimin e vjetër kufitar në mes të Kosovës dhe Serbisë, në Jarinje të komunës së Leposaviçit, për të filluar reciprocitetin e targave.

Të gjitha veturat që deri më tani kanë pasur targa të Serbisë, duhet t’i zëvendësojnë ato me “RKS”, targa të Republikës së Kosovës”, nëse duan të qarkullojnë brenda vendit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore