Shqipëria

Në Shqipëri, 60% e çmimit të naftës janë taksa


Shqipëria renditet ndër 25 vendet me çmimin më të lartë të naftës në botë, ku i ngjason vendeve si Gjermania, Portugalia, Holanda apo Finlanda, por që 60% të çmimit, e përbëjnë taksat e shtuara mbi vlerën e naftës.

Janë pesë, llojet e taksave të cilat shqiptarët paguajnë mbi çmimin e naftës. Pavarësisht faktit se Shqipëria është vend prodhues i naftës, sërish çmimi mbetet shumë i lartë – mbi të gjitha kur e krahason me nivelin e pagave.

Akciza, taksa e qarkullimit, ajo e karbonit dhe tatimi mbi vlerën e shtuar, përbëjnë totalin prej 100.4 lekësh taksa. Këtyre, i shtohen edhe taksat që kanë pikat e ndryshme të karburantit për shitjen e produktit.

Në rajon, kjo është shuma më e lartë e paguar nga qytetarët për naftën. Serbia është vendi i dytë, me taksat të larta deri në 92 lek për litër. Mali i Zi shkon në 84 lek për litër ndërsa Kosova në 65. Taksat më të ulëta mbi karburantin në rajon, i mban Maqedonia e Veriut, me 49.5 lek për litër.

Vetëm 40% e produktit janë taksa në naftën maqedonase.

Por, çmimin më të ulët në rajon, e mban Kosova, me 122 lek për litër. Maqedonasit e paguajnë naftën 123 lek për litër.

Ndërsa, edhe pse me taksa më të larta mbi naftën, shqiptarët nuk e paguajnë më shtrenjtë në rajon. Serbët janë ata që e paguajnë atë më së shumti, me 167.64 lek për litër.

Në raportin e publikuar nga Open Data Albania, jepet edhe një pasqyrë e çmimit të naftës në gjithë botën.

Çmimin më të ulët në botë, e mban Venezuela me një rekord, ku nafta vlen qindarka dhe është thuajse falas.

Irani e paguan vetëm 1.24 lek për litër. Arabia Saudite vetëm 14.34 lek për litër, Siria është në 15.92 lek për litër dhe Angola mbyll pesëshen e parë me 21.96 lek për litër.

Nafta më e shtrenjtë në botë paguhet në Hong Kong, me 222.58 lek për litër. Suedezët e paguajnë 209 lek për litër, izraelitët thuajse 200 lek për litër ndërsa britanikët dhe monegaskët janë në 194 lek për litër.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore