Lajme

Presidenti afgan largohet drejt Tajikistanit


Pas rrethimit të Kabulit nga forcat talebane, presidenti afgan, Ashraf Ghani, është larguar drejt Tajikistanit.

Lajmin e ka bërë të ditur një zyrtar i lartë i Ministrisë së Brendshme afgane.

Ai ka bërë me dije gjithashtu se për arsye sigurie, nuk mund të tregohet asnjë detaj në lidhje me largimin e presidentit jashtë kufijve.

Dy burime të tjera pranë agjencisë së lajmeve “Associated Press”, kanë pohuar largimin e Ghani-t. Një prej informatorëve ka qenë pjesë e kabinetit të ish-presidentit, Hamid Karzai, ndërsa tjetri është burim pranë Këshillit afgan të Sigurisë.

Kabuli është i sigurt, pritet dorëzimi i pushtetit

“Qytetarët nuk duhet të shqetësohen. Kabuli është i sigurt dhe pushteti do të transferohet paqësisht në një administratë tranzitore”.

Këtë fakt e ka pohuar ministri i Brendshëm në detyrë i Afganistanit, Abdul Satar Mirzakwal, gjatë një transmetimi të jashtëzakonshëm mediatik në televizionin shtetëror të Afganistanit.

Ministri paralajmëroi se “kushdo që shkakton trazira, do të përballet me pasoja”.

Kjo deklaratë vjen pas afrimit të trupave talebane rreth kryeqytetit afgan, i cili është bastioni i fundit i mbetur i Qeverisë së Presidentit, Ashraf Ghani.

Ministri i Mbrojtjes, Bismillah Khan Mohammadi, e përforcoi deklaratën e kolegut të tij në kabinet. “Bijtë tuaj në Kabul janë gati për të mbrojtur qytetin”.

Talebanët në “dyert” e Kabulit, SHBA evakuon Ambasadën

Pas kapjes së qytetit kyç lindor të Jalalabad-it në Afganistan, forcat talebane ndodhen tashmë në dyert e Kabul-it – fortesës së fundit, e cila kontrollohet nga Qeveria afgane.

SHBA-të kanë nisur ndërkaq evakuimin e diplomatëve të saj dhe po dërgon të tjerë trupa në vend për të ndihmuar. Po kërkohet momentalisht sigurimi i aeroportit dhe Ambasadës, pas avancimit të talebanëve në mënyrë të ndjeshme.

Javën e shkuar, burime nga Inteligjenca Amerikane, bënë me dije se kryeqyteti mund të rezistonte tre muaj. Por, vetëm në pak ditë, rebelët kanë mbërritur në kryeqytet. Një pjesë e madhe e qyeteteve të tjera kyçe, u morën pa luftë.

“Një pjesë e personave po lëviz në këto çaste”, ka deklaruar për Reuters një person, pjesë e stafit të Ambasadës së SHBA-ve në Kabul. “Pjesa më e madhe e stafit janë gati për t’u nisur”.

Një burim tjetër ka theksuar se talebanët janë të gatshëm të lënë amerikanët të largohen të sigurt, pa luftë. Ky vendim sipas burimit, erdhi për të mos shkaktuar më gjakderdhje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore