Sport

Milan-i zyrtarizon marrëveshjen me një tjetër sponsor


Skuadra e Milan-it ka arritur marrëveshjen me kompaninë “BitMEX” e cila do të jetë sponsori i parë i vendosur në mëngët e fanellës “kuq e zi” për sezonin e ri.

“BitMEX” është një nga platformat kryesore të kriptomonedhave në botë dhe partneriteti me Milan-in shënon debutimin e kësaj marke në botën e futbollit.

Logo e markës “BitMEX” do të jetë e vendosur në mëngët e fanellës së Milan-it në skuadrën e meshkujve dhe femrave në të gjitha kompeticionet ku klubi merrë pjesë.

Casper Stylsvig, zyrtari kryesor i të Ardhurave të Milan-it, tha për marrëveshjen se “ne jemi të lumtur të mirëpresim ‘BitMEX’ në familjen ‘Kuq e zi’ si Partner Kryesor dhe për herë të parë ndonjëherë, si sponsor mënge të ekipit”.

“Ky është me të vërtetë një partneritet emocionues dhe fillimi i një udhëtimi të mrekullueshëm si për dy markat ashtu edhe për fansat tanë”, shtoi Stylsvig-u.

Alexander Hoptner, drejtuesi i “BitMEX” tha se “Partneriteti ynë me AC Milan simbolizon një kapitull të ri emocionues për ‘BitMEX’ në udhëtimin e ndërmarrë për të rritur ndjeshëm ndërgjegjësimin e markës dhe zgjeruar njohuritë për botën e kriptomonedhës”.

“Që në takimet e para me Klubin u ndjemë si në shtëpinë tonë dhe mezi presim të fillojmë të bashkëveprojmë me familjen globale ‘Kuq e zi’”, përfundoi ai.

Logoja e “BitMEX” do të debutojë në fanellën e Klubit më 23 gusht, kur Milan-i do të përballet me Sampdoria-n në Xhenoa në ditën e parë të Serie A 2021/22.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore