Shqipëria

Shqipëria mes zjarreve, mbështetje nga BE-ja


Pandemia e Mesdheut, ajo “e zjarreve”, prej më shumë se dhjetë ditësh ka kapluar edhe Shqipërinë.

Situata nga Ministria e Mbrojtjes (MM) paraqitet e këtillë: 13 vatra zjarri aktive dhe mbi 500 efektivë të Forcave të Armatosura, të cilët janë angazhuar maksimalisht në neutralizimin e gjendjes.

Më problematikja mbetet vatra e zjarrit në Fushë-Arrëz. Aty, ndihmuar edhe nga faktori erë, zjarri rrezikon të prekë banesat.

MM ka bërë me dije se, në ndihmë të forcave që po vijojnë punën, është dërguar edhe një mbështetje nga ajri.

Shqetësuese vijon të mbetet situata në Qarkun e Gjirokastrës, ku jo më larg se dje, të martën e 3 gushtit, u shënua dhe viktima e parë nga zjarri.

Mbështetja nga Bashkimi Evropian

Nga situata e krijuar në të gjithë Mesdheun, por jo vetëm, shtetet e prekura nga zjarri kanë kërkuar dhe ndërhyrjen e Bashkimit Evropian (BE).

Paraditen e 4 gushtit u njoftua nga komisioneri Evropian për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarčič, se “Komisioni Evropian është duke u mobilizuar për t’u ardhur në ndihmë vendeve në parandalimin e përhapjes së zjarreve dhe mbrojtjen e jetës”.

Kjo, në kuadër të aktivizimit të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian.

Sa i përket Shqipërisë, tha komisioneri, “do të vijnë tre helikopterë për të mbështetur operacionet për fikjen e zjarreve, një nga Çekia dhe dy nga Holanda”.

Nga ana e autoriteteve holandeze do të bëhet i mundur dërgimi i dy helikopterëve Chinook, në ndihmë të situatës emergjente.

Helikopterët, së bashku me 47 ushtarakë holandezë, do të mbërrijnë të premten e 6 gushtit, kurse një ditë më pas do të fillojnë operacionet.

“BE, miku më i mirë në kohë të vështira”

Fill pas njoftimit të BE-së reaguan edhe figurat e politikës shqiptare, të cilët shprehën mirënjohjen ndaj ndihmës që po i ofrohet Shqipërisë.

“BE, miku më i mirë në kohë të vështira”, do të shkruante kreu i Partisë Demokratike në Shqipëri, Lulzim Basha.

Ai e vuri theksin se BE i gjendet pranë Shqipërisë në një moment kritik dhe se ndërhyrja e saj është “një lajm shumë i mirë”.

Në vazhdën e falënderimeve, erdhi dhe ai nga presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, përmes një postimi në median sociale Facebook.

Ai shkruante se “është i shumëpritur aktivizimi i Mekanizmit të Mbrojtjes Civile nga BE-ja, për Shqipërinë”.

Po ashtu, Meta ka shprehur mirënjohje për solidaritetin dhe ndihmën e BE-së, në kushtet e një situate tepër të rrezikshme të përballjes me zjarret.

Falënderuese kundrejt ndihmës së ofruar nga BE-ja, është treguar edhe ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka.

Nëpërmjet një statusi në median sociale Twitter ajo shkruante se “Vetëm të bashkuar mund të fitojmë”.

Po ashtu ministrja theksonte se miqtë evropianë po i gjenden Shqipërisë në orët e nevojës.

Bilanci i gjendjes me vatrat e zjarrit

Në orët e vona të ditës së sotme, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nëpërmjet një statusi në median sociale Facebook, ka bërë me dije gjendjen e vatrave të zjarrit.

“Aktualisht në Shqipëri ka 13 vatra zjarri”.

Numri një i qeverisë ka bërë të ditur edhe se vatrat në Gadishullin e Karaburunit, Shkodër, Tepelenë, Durrës, Dibër dhe Mallakastër nuk përbëjnë më rrezik për banesat.

Kryeministri, Edi Rama, ka publikuar video nga momenti kur FA-të përmbyllin misionin me sukses dhe largohen nga zona me helikopter nga Parku i Llogarasë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore