Shqipëria

Peleshi: Neutralizohet zjarri në fshatin Delisuf, Vlorë


Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, mesditën e 3 gushtit njoftoi se është neutralizuar zjarri në fshatin Delisuf, Vlorë.

Ndërkohë Peleshi bëri me dije se vazhdon ndërhyrja e trupave mbi fshatin Dukat, që ka mundësuar reduktimin e zjarrit dhe eliminimin e rrezikut të banesave.

Nga ana tjetër problematik ngelen vatrat e zjarrit në gadishullin e Karaburunit.

Po punohet gjithashtu edhe për evitimin e përfshirjes së parkut të Llogarasë nga flakët.

“Parku i Llogarasë ndodhet ende dy kilometra larg, por duam të shmangim me çdo kusht shtrirjen e zjarrit në park”, deklaroi më herët Peleshi.

Për sa i përket mjeteve të ndërhyrjes nga ajri, Shqipëria deri sot ka funksionuar me vetëm një helikopter ndihmës nga ajri. Por, me nisjen e operacioneve të reja, ata do të bëhen tre.

E njëjta gjë do të ndodhë edhe me forcat në terren, të cilat do të shumëfishohen.

Operacionet e para kanë filluar që në agim, në zonën e Dukatit. Mbi 200 trupa kanë qenë të angazhuar në Vlorë deri tani dhe rreth 80 në qarkun Fier. Fluturime me helikopter për hedhjen e ujit nga ajri ka pasur 93.

Mbi vënien në kontroll të flakëve, projeksionet e para ende pritet të bëhen nga specialistët.

Vatrat e zjarrit janë në një betejë gati 10-ditore, mes përpjekjeve të autoriteteve për t’i vënë nën kontroll dhe rindezjes nga faktori i erës.

Zjarri nuk ka kursyer as Gjirokastrën dhe Divjakën në fillim të kësaj jave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore