Kosova

Prindon Sadriu “kërcënon” deputetet e PDK-së


Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Floretë Zenjullahu

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Floretë Zenjullahu, gjatë seancës plenare të ditës së hënë në Kuvendin e Kosovës, ka deklaruar se është kërcënuar nga Prindon Sadriu, bashkëshorti i presidentes Vjosa Osmani.

Zejnullahu ka treguar se është kërcënuar nga Sadriu përmes një letre, pasi kjo kishte folur për pasurinë e familjes së tyre.

“Kërcënimet e tij vijnë menjëherë pas publikimit të fakteve ndaj tij dhe jetës luksoze që ai dhe bashkëshortja e tij bëjnë. Bashkëshorti i presidentes ndoshta ka menduar që përmes këtij kërcënimi do të frikësohem dhe do të heshti”.

“Por nga këtu i bëjë me dije atij dhe bashkëshortes së tij se keni gabuar adresën e personit të cilën keni menduar ta frikësoni, e ta shantazhoni”, ka thënë Zejnullahu.

Ajo ka paralajmëruar se Prindon Sadriun do ta padisë për kërcënim.

“Nga kjo foltore dua ta njoftoj publikisht bashkëshortin e presidentes se do ta padis në organet e drejtësisë për kërcënimin e tij ndaj meje menjëherë pas kësaj seance”.

Edhe Deputetja, nga radhët e PDK-së, Ganimete Musliu ka bërë të ditur se ka pranuar një letër kërcënimi nga bashkëshorti i Presidentes së Kosovës.

“Për çudi letra përmbante një kërcënim për padi civile, arsyeja e përmendur në këtë letër ishte se unë në një nga televizionet paskam thënë se ai është ambasador me korrespodence dhe që atë e ka bërë ambasador bashkëshortja e tij”, ka thënë Musliu.

Musliu, më tutje ka treguar se në letrën në fjalë ishte caktuar afati se kur ajo duhet të kërkoj falje për shpifje publike.

“Në letrën e tij më është caktuar një afat për të kërkuar falje, më pas do të pasonte padia civile ndaj meje me kërkesën për kompenzim dëmi sepse i është prishur imazhi.  Se kuptoj dot kujt ia kam dëmtuar imazhin, diplomatit të Kosovës, rezervistit ushtarak, zotëriut të parë apo kujt tjetër? “.

Deputetja e Musliu është drejtuar edhe Presidentes Osmani, duke thënë se presidenca nuk shërben për familjarë.

“Vjosë e nderuar, juriste, presidenca nuk është për t’i shërbyer ty dhe familjes tënde. Meqë burri juaj më kërcënon mua me padi civile pse paskam thënë të vërtetën, unë po ju pyes juve në çfarë cilësie ma dërguat letrën e tij ju si presidente, një letër pa nënshkrim?”.

Këtyre deklaratave i është kundërpërgjigjur deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Daorsa Kica Xhelili, e cila ka thënë se “ju po vazhdoni të shpifni, është e çuditshme që PDK nga e cila ka ardhur presidentët e më parme, është qesharake dhe nuk duhet të pranohet”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore