Kosova

Kurti niset drejt Kroacisë


Albin Kurti, Kryeministri i Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është nisur drejt Kroacisë pas aksidentit tragjik të autobusit, ku humbën jetën 10 persona.

Gjatë këtij udhëtimi Kryeministri Kurti, është shoqëruar bashkë me ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia dhe shefin e Stafit të Kabinetit të Presidentes së Kosovës, Blerim Vela.

Këtë e ka bërë të ditur Zyra e Kryeministrit të Kosovës përmes një komunikate për media.

Kryeministri Kurti, me disa nga ministrat e kabinetit të tij do të priten nga Kryeministri kroat, Andrej Plenkoviç, pikërisht në vendin ku ka ndodhur aksidenti tragjik në Slavonski Brod, të Kroacisë.

Sipas portalit kroat index.hr, Kurti do të takohet me homologun e tij kroat rreth orës 18:00 të ditës së diel.

Dy liderët më pas do të vizitojë spitalin ku po trajtohen pasagjerët e plagosur dhe pritet të mbajnë konferencë për shtyp.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë ditës së diel ishte telefonuar nga kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç, në lidhje me aksidentin fatal me autobus që ka ndodhur mëngjesin e së dielës.

Kurti, gjatë bisedës kishte falënderuar autoritet kroate për reagimin e tyre të shpejtë.

Në mëngjesin e të dielës si pasojë e një aksidenti të rëndë të një autobusi me udhëtarë nga Gjermania për në Kosovë, në Slavonski Brod të Kroacisë, kanë humbur jetën 10 persona.

Sipas Ministrit të Shëndetësisë së Kroacisë, Vili Berosh, 44 persona kanë marrë ndihmë mjekësore ku 15 prej tyre kanë pësuar lëndime më të rënda.

Ndërsa vendin e ngjarjes ku ka ndodhur aksidenti tragjik e ka vizituar edhe Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Gëzim Kasapolli duke thënë se ambasada po bën çdo gjë në bashkëpunim me autoritetet kroate dhe kosovare që të tejkalohet situata e vështirë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore