Shqipëria

Meta: Vendimi i DASH-it për Berishën, fletërrufe nga regjimi


Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, me anë të një postimi në median sociale Facebook, ka bërë të ditur reagimin e tij mbi shpalljen non grata të ish-kryeministrit Sali Berisha, nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, më herët e cilësoi Berishën, si persona non-grata në SHBA. Gjithashtu, familja e Berishës është cilësuar si non grata nga Sekretari Blinken.

Presidenti, në postimin e tij e ka quajtuar këtë vendim si “fletërrufe” ndaj Berishës.

Meta shkruan se vendimi “është porositur nga regjimi i kleptokracisë në Tiranë”, duke akuzuar kështu SHBA-të.

“Kjo ‘fletërrufe’ jo rastësisht u kërkua në këtë moment, kur procesi zgjedhor ende nuk është mbyllur zyrtarisht”, deklaron presidenti.

Ai u ka bërë thirrje të gjithëve të zbatojnë me rigorozitet ligjin, si dhe të gjitha kërkesat e Kodit Zgjedhor lidhur me procesin e 25 prillit.

Meta, në fjalimin e tij ka ndarë dhe mesazhin që i ka dërguar Berishës, ku është solidarizuar me të dhe familjen e tij.

“Akt i shëmtuar, i pabesë dhe i poshtër, që ka të bëjë vetëm me lobingjet antishqiptare dhe asgjë tjetër”, finalizon presidenti mesazhin.

Vendimi i DASH-it për Berishën

Motivacioni kryesor i bërë me dije në deklaratën e DASH-it, është ai i përfshirjes së Berishës në korrupsion. Këto akte lidhen me përvetësim fondesh publike. Interferimi në procese publike është gjithashtu një prej arsyeve.

Sipas deklaratës, Berisha, në kohën kur ka qenë kryeministër, ka përdorur pushtetin e tij për të pasuruar aleatët politikë dhe familjen, në kurriz të besimit që i kanë dhënë qytetarët me zgjedhjen e tij dhe qeverisë së tij.

“Ndër të tjera, retorika e tij shfaq dëshirën për të mbrojtur veten dhe familjen, duke penguar hetimet e pavarura dhe përpjekjet kundër korrupsionit. Me këtë cilësim, ritheksoj nevojën për transparencë në institucionet demokratike në Shqipëri”, vijon deklarata.

Në përmbyllje, sipas deklaratës, SHBA-të do të vazhdojnë veprime të tilla për të luftuar aktorët korruptivë në rajon.

Padia e Berishës për Antony Blinken

Berisha në prononcimin e parë për media, pas shpalljes i padëshirueshëm nga amerikanët, tha se do të ngrejë një padi ndaj Blinken-it për shpifje publike, në Gjykatën e Parisit.

Në vijim, ai e ka vënë theksin te mungesa e provave, të cilat, sipas tij, Blinken duhet që t’i publikojë.

“Në qoftë se sekretari do të paraqiste prova, do të konsideroja çdo gjë. Jo prova të montuara në Tiranë, por të shqyrtoheshin prova. Provat le t’i nxjerrin. Unë kam hapur gjyq, le t’i paraqiten para gjykatës provat”, shprehet Berisha.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore