Sport

99 vite nga lindja e legjendës së futbollit shqiptar, Loro Boriçi


Si sot 99 vite më parë, më 4 gusht në Shkodër lindi Lorenco Boriçi ose siç njihet gjerësisht Loro Borici, një nga legjendat e futbollit shqiptar.

Boriçi luajti në futbollin profesionist, me ekipin e parë të Vllaznisë që në moshën 15-vjeçare. Pikërisht në këtë moshë, në vitin 1937, ai bëri debutimin me kuqeblutë në një miqësore kundër Dragoi Pogradec.

Loro Borici në Shkodër.
C: Drejtoria e Përgjitshme e Arkivave/ Arkivi Qëndror i Shtetit

Por, më vonë ai do të largohej drejt Italisë për të vijuar shkollimin. Boriçi u vendos në Romë dhe studimet i ndoqi në një nga universitetet më të njohura në botë, atë të “La Sapienza” në degën e jurisprudencës.

I gjendur në Romë për shkollim, Boriçi nuk e harroj futbollin dhe në vitin 1941 ai bëhet pjesë e ekipit të Lazio-s. Me klubin e shqiponjave ai u aktivizua për dy vite. Fillimisht ishte pjesë e rezervave dhe në vitin e dytë u bë pjesë e ekipit të parë.

Me Lazion, Boriçi luajti në total 19 ndeshje, duke arritur të gjente rrugën e rrjetës gjashtë herë.

Pas largimit nga Lazio dhe Italia, Boriçi rikthehet në Shqipëri, në vendlindje dhe përsëri te Vllaznia, klub të cilin e udhëhoqi drejt dy titujve kampion në vitin 1945 dhe 1946.

Në moshën 27-vjeçare ai kaloi te Partizani, ku edhe me të kuqtë arriti të fitonte dy tituj kampionë, në vitet 1949 dhe 1954. Në total, luajti 152 ndeshje me “Demat” dhe shënoi 68 gola.

Karrierën më pas e vijoi te Spartaku i Tiranës, ku njëkohësisht luajit edhe rolin e trajnerit. Një klub që asokohe ishte pjesë e elitës së futbollit shqiptar, ndërsa përgjatë viteve ka pasur rënie deri në shpërbërje, por në vitin 2012 u riorganizua dhe aktualisht luan në Kategorinë e Dytë (e treta për nga rëndësia).

Boriçi ka qenë edhe një nga lojtarët më të spikatur në Kombëtaren e Shqipërisë. Ai debutoi në një ndeshje kundër Malit të Zi në vitin 1946. Në total, luajti 24 ndeshje me kuqezinjtë, nga ku shënoi gjashtë gola.

Loro Boriçi pas fitimit të Ballkaniadës në 1946

Në Kampionatin Ballkanik të vitit 1946 të mbajtur në Shqipëri, kuqeznjitë dolën kampion pasi mundën Rumaninë 1-0 në finale. Një nga fotografitë më të njohura të pas-finales është ajo e Boriçit në stadiumin “Qemal Stafa” me një kuror dafine në kokë dhe trofeun në duar.

Pasi mbylli karrierën në futbollin e luajtur, Boriçi u bë trajner i mirëfilltë.. Një profesion të cilin e kishte filluar që kur ishte pjesë e futbollit të luajtur me Spartakun.

Loro Boriçi – trajner (në qendër)

Përgjatë karrierës si trajner ai drejtoi gjithashtu edhe Kombëtaren e Shqipërisë, Partizanin dhe Lokomotivën e Durrësit (Teuta).

Për tre vite, nga 1972-1975 ai mbajti postin e drejtorit teknik në Kombëtaren e Kinës dhe më pas u rikthye të drejtonte Kombëtaren e Shqipërisë deri në vitin 1981.

Boriçi do të ndahej nga jeta në moshën 61-vjeçare më 25 prill 1984 në Tiranë pas një sëmundje të rëndë. Edhe pse u kurua edhe jashtë Shqipërisë Komuniste të kohës, përsëri ai nuk mundi ta mposhte dot sëmundjen e rëndë që kishte.

Stadiumi “Loro Boriçi” Shkodër.

Loro Boriçi mban tre tituj sportiv: “Mjeshtër i Merituar”, “Trajner Kombëtar” dhe “Nderi i Sportit Shqiptar”.

Në nder të tij, kanë marrë emrin stadiumi i qytetit të Shkodrës dhe Shkolla Kombëtare e Futbollit në Tiranë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore