Kulturë

82 vjet nga vdekja e Mujo Ulqinakut, shembull i patriotizmit dhe atdhedashurisë


Muzeu Historik Kombëtar ka prezantuar një video edukuese-promovuese për figurën e Mujo Ulqinakut, në kuadër të promovimit të koleksioneve dhe përkujtimit të figurave, datave apo ngjarjeve të rëndësishme të historisë së Shqipërisë.

https://fb.watch/4JrZGRonbt/

Më 7 prill bëhen 82 vjet nga vdekja e Mujo Ulqinakut.

Ndryshe Mujo Cakuli, por i njohur më së shumti me mbiemrin Ulqinaku, ishte oficer i Ushtrisë Mbretërore Shqiptare.

Historia e njeh kontributin e tij për rezistencën e shfaqur më 7 prill 1939, ndaj forcave italiane gjatë pushtimit italian të Shqipërisë, ku ra dëshmor.

Pas vdekjes, ai u nderua si Hero i Popullit.

I lindur më 1896, në Ulqin në një familje të vjetër qytetare ulqinake, të cilët ishin detarë dhe pronarë velanijesh.

Që në moshë të vogël hyri si ndihmës detar në Ulqin dhe, më vonë, punoi si detar në Shkodër e në Lezhë.

Si nënoficer në një nënrepart të marinës në Durrës, ditën e agresionit fashist italian kundër Shqipërisë u vu menjëherë në krye të detarëve të braktisur nga oficerët tradhtarë, duke organizuar me ta e me vullnetarë të tjerë qëndresën e armatosur në portin e Durrësit.

Mujo Ulqinaku luftoi me trimëri e guxim të rrallë, duke vrarë e plagosur dhjetëra fashistë.

Ra në luftim të pabarabartë në mbrojtje të atdheut më 7 prill 1939, duke u bërë shembull i lartë patriotizmi e atdhedashurie.

Ushtarët italianë zbarkuan në bregun e Durrësit, por u detyruan të zmbrapseshin në det mbasi në breg i priti mitralozi i Mujo Ulqinakut, që mbronte trojet e veta.

Ata zbarkuan disa herë në breg dhe po aq herë edhe u zmbrapsën.

Por, ushtria italiane ishte e shumtë në numër dhe Mujua nuk mund t’i bënte ballë për shumë kohë veçse sa qe gjallë, ata nuk kaluan dot.

Në këtë mbrojtje të truallit të vet, Mujo Ulqinaku ra heroikisht dhe u bë kështu dëshmori i parë i atdheut në luftë kundër pushtuesit fashist.

Sipas burimeve të asaj kohe, qytetarët e Durrësit thoshin se italianët kishin lënë katërqind të vrarë, ndërsa italianët deklarojnë se në tërë Shqipërinë kishin humbur vetëm 12 vetë.

Por është e qartë se vetëm në Durrës u vranë rreth 200 italianë dhe 700 në të gjithë Shqipërinë. Sikurse numri i shqiptarëve të vrarë ka qenë ndoshta edhe më i madh.

Aktit heroik të Mujo Ulqinakut i kushtohet busti i vendosur pranë kullës së kalasë së Durrësit dhe emrin e tij e mbajnë rrugë, anije dhe shkolla.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore