Pajisje

74% e të ardhurave nga sulmet kibernetike shkojnë për grupet ruse


Referuar një studimi të fundit, 74 për qind e të gjitha parave të fituara përmes sulmeve kibernetike ransomware në vitin 2021 kanë shkuar për hacker-at e lidhur me Rusinë.

Dhe se më shumë se 400 milionë dollarë pagesa në kriptovaluta kanë shkuar për grupet “që me shumë gjasa janë të lidhur me Rusinë”.

Gjithashtu studiuesit pretendojnë se “një sasi e madhe e pastrimit të parave të bazuara në kriptomonedha” kalon përmes kripto-kompanive ruse.

Por Rusia i ka mohuar akuzat se po strehon kriminelë kibernetikë, tregon agjencia e lajmeve “BBC”.

Chainalysis, që kreu hulumtimin, ka thënë se ishte në gjendje të ndiqte fluksin e parave nga kuletat digjitale të grupeve të njohura të hacker-ave, duke përdorur të dhënat publike të transaksioneve të rrjetit.

Sakaq, analistët janë të bindur se cilat grupe të hacker-ave janë ruse sepse shfaqin karakteristika të ndryshme.

Kodi i tyre ransomware është shkruar për të parandaluar dëmtimin e skedarëve nëse zbulohet se kompjuterët e viktimës ndodhen në Rusi.

Sipas analistëve, grupi vepron në rusisht në forumet rusisht-folëse dhe është i lidhur me Evil Corp-in, një grup i dyshuar i krimit kibernetik i kërkuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“BBC” dallon se hulumimi është një provë e mëtejshme se shumë grupe kriminale kibernetike veprojnë ose në Rusi ose përreth vendeve ish-sovjetike rusisht-folëse.

Megjithatë, raporti analizon vetëm fluksin e parave për drejtuesit e grupeve kriminale kibernetike dhe shumë prej tyre drejtojnë operacione me filiale, duke marrë me qira mjetet e nevojshme për të nisur sulme te të tjerët.

Kështu që, nuk dihet se ku janë hacker-at individualë që punojnë për grupet e mëdha.

Në vitin 2021, u nis një operacion i madh ndërkombëtar për të ndaluar hacker-at ransomware, pas shumë sulmeve të profilit të lartë. Dhe të dyshuarit u arrestuan në Rumani, Ukrainë, Korenë e Jugut dhe Kuvajt.

Gjithashtu Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë tërhequr me sukses miliona dollarë nga kuletat digjitale të kriminelëve të shumtë ransomware.

Mirëpo, Rusia i ka mohuar kaherë akuzat se strehon kriminelë të tillë.

Edhe presidenti rus Vladimir Putin ka thënë më parë se “Rusia nuk është e listuar në këtë renditje të vendeve që shohin numrin më të madh të sulmeve kibernetike nga territori i tyre”.

Ama jo më larg se muajin e kaluar, autoritetet ruse njoftuan se do të shpërbënin grupin ransomware REvil me kërkesë të SHBA-ve.

Prandaj dhe ky operacion i realizuar është një rast jashtëzakonisht i rrallë i bashkëpunimit të SHBA-ve dhe Rusisë për krimin kibernetik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore