Shqipëria

73-vjeçari i vendos “flakën” fshatit Mabë, procedohet në gjendje të lirë


Pamje ilustruese e zjarrit në pyje

Një 73-vjeçar në Mabë, Lezhë po procedohet penalisht në gjendje të lirë, pasi i vendosi zjarrin një toke kullotë.

Për pasojë zjarri është përhapur duke djegur kodrën e fshatit Mabë. Ndërkohë ai po procedohet në gjendje të lirë për shkak të moshës.

Materialet në ngarkim të policisë i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë apelon për të gjithë banorët dhe në veçanti për ata që kanë në përdorim sipërfaqeje kullosore, që në asnjë rast mos shkaktojnë zjarrvënie pasi do përballen me ligjin.

Më tej policia i bën thirrje qytetarëve që të denoncojnë në numrin 112 dhe Komisariatin Digjital për çdo rast të zjarrvënies apo të paligjshmërisë në tërësi duke ju garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë e të paanshëm nga strukturat policore.

Situata e zjarreve në Shqipëri

Shqipëria ndodhet në një luftë të hapur me zjarret e shtrira në gjithë vendin dhe rajonin, ku pas dy javësh tashmë, janë dy vatrat më kritike ndërkohë që tetë të tjera mbahen nën monitorim.

Gadishulli i Karaburunit dhe Maja e Rrunës, janë dy vatrat kryesore. Në të parin rrezikohet parku i madh i Llogarasë ndërsa në të dytin, shtëpi të zonës.

Falë luftës me flakët të Forcave të Armatosura dhe zjarrfikësve, këto vatra po mbahen nën kontroll për të mos cenuar parkun apo banesat.

Koordinimi i punës me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, ka bërë që 15 vatra të shuhen tërësisht. Mirëpo dhjetë të tjera, mbeten aktive.

Bashkia Finiq, Vermoshi, Thirra, Domgjonaj, Munella, Dropulli, Klysyra, Bardhaj dhe Kodër Sharra, të gjitha po përballen me vatra zjarri të rrezikshme, por të cilat po monitorohen për të shmangur përhapjen më të gjerë.

Puna ka vijuar edhe gjatë orëve të natës, për t’i mbajtur nën kontroll ato.

Shuarja përfundimtare pritet gjatë fundjavës. Kjo, falë ndërhyrjes së helikopterëve ndihmës të mbërritur nga Holanda e Republika Çeke. Ata do të fillojnë punë të shtunën e 7 gushtit. Qëllimi i vetëm do të jetë shuarja e çdo vatre zjarri të mbetur në Shqipëri.

Me flakët nuk po përballet vetëm vendi ynë por gjithë rajoni i Mesdheut. Gjendja më kritike është në Greqi e Turqi, me qindra banesa të shkrumbuara e mijëra banorë të evakuuar.

Përtej dëmeve materiale, dëme po shkaktohen edhe në turizëm, ku përpos situatës së krijuar nga pandemia, shtetet e rajonit duhet të përballen edhe me situatën e zjarreve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore