Shqipëria

7.5 milionë të huaj vizituan Shqipërinë gjatë 2022, rritje me 32%


Gjatë 12 muajve të vitit 2022, numri i vizitorëve të huaj në vend shënoi një rritje të lartë me 32%, krahasuar me një vit më parë, duke u përmbledhur në 7 milionë e 543 mijë e 817 vizitorë.

Janë këto të dhënat më të fundit të publikuara nga Instituti i Statistikave në Shqipëri, duke iu referuar krahasimit vjetor për hyrje-daljet në vend.

Vetëm gjatë muajit dhjetor 2022, ka pasur 965 mijë shtetas shqiptarë të hyrë në vend, duke shënuar rritje me 44.7%, krahasuar me një vit më parë.

Kjo lidhet kryesisht me sezonin e festave, ku diaspora përfiton prej pushimeve dhe kthehet për të takuar të afërmit.

Ndërsa, sa i përket të huajve, vetëm gjatë dhjetorit, rritja ishte po aq e madhe, pasi 391 mijë syresh hynë në Shqipëri.

Rritja e vizitorëve të huaj, lidhet kryesisht me ata spanjollë dhe ata malazezë, ku të dy këto grupime shënuan një rritje shumë të lartë krahasuar me dhjetorin 2021, duke shkuar në 74% për të parët dhe 70% për të dytët.

Në tërësi madje, gjatë gjithë vitit, turistët spanjollë në Shqipëri u rritën me një shifër rekord prej 360%.

Turistët anglezë e kanë preferuar po ashtu vendin në masë, duke shënuar rritje vjetore me 85.9%.

Shumica e vizitorëve, kanë ardhur në Shqipëri kryesisht për turizëm, me mbi 7 milionë.

Një shumatore prej 367 mijësh kanë qenë udhëtarë tranzitorë. Lidhur me trajtime shëndetësore kanë qenë 2 mijë e 392 të tillë. Ndërsa, 495 persona, kanë shprehur qëllime fetare, për të vizituar vendin.

Rruga më e rrahur për të hyrë në Shqipëri ka qenë ajo tokësore, me 9.8 milionë. Nga ajri kanë qenë thuajse 2.5 milionë hyrje, ndërsa nga deti, 705 mijë, gjatë gjithë vitit.

Thuajse të njëjtën linjë ndjekin edhe daljet nga vendi, me 10.1 milionë në rrugë tokësore, 2.5 milionë në atë ajrore dhe 690 mijë në atë detare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore