Shqipëria

648 emigrantë të jashtëligjshëm kapen nga bashkëpunimi i Policisë shqiptare me FRONTEX


Prej janarit 2022, 648 emigrantë të jashtëligjshëm janë kapur nga Policia e Gjirokastrës në bashkëpunim me Agjencinë për Mbrojtjen Kufitare dhe Bregdetare Evropiane (FONTEX).

Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar, ka pasur një rritje prej 100% të personave të kapur në operacione të tilla. Vitin e shkuar, numrat ishin në 311 emigrantë.

Kjo lidhet edhe me faktin se segmenti përgjatë Ballkanit Perëndimor, është kthyer në një prej rrugëve kryesore të emigrimit të jashtëligjshëm, duke tejkaluar edhe numrat e rrugëve të Evropës Lindore apo Mesdheut.

Operacionet e zhvilluara nga FRONTEX, në bashkëpunim me autoritete kombëtare dhe vendore, e kanë përmirësuar logjistikën dhe e kanë forcuar dukshëm sistemin e mbikëqyrjes kufitare.

Po gjatë kësaj periudhe, nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe operacionin e përbashkët me FRONTEX-in, janë goditur 19 raste të veprës penale “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”, me 26 shtetas të arrestuar, shtatë të shpallur në kërkim, katër të proceduar penalisht, si dhe janë kapur 194 emigrantë të paligjshëm.

Shërbimet në doganat e Kapshticës dhe Kakavijës kanë qenë po ashtu pjesëmarrëse në operacione, duke bashkëpunuar me FRONTEX-in.

Një bashkërendim i tillë pune është zhvilluar edhe në pika të tjera të kalimit kufitar, si në doganat mes Shqipërisë dhe Kosovës apo Malin e Zi.

Në pranga janë vënë personat përgjegjës për kontrabandimin e emigrantëve.

Ndërsa, aksionet, vijojnë të mbetet të fuqishme në gjithë rajonin.

Në Ballkanin Perëndimor ka pasur në tërësi një dyfishim të shifrave të kalimit të jashtëligjshëm të kufijve.

Përkatësisht, në shifrat e publikuara, vetëm në dy muajt e parë të vitit ka pasur 11 mijë e 700 kalime ilegale emigrantësh vetëm nëpërmjet rrugës ballkanike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore