Sport

60 vjeç në Everest, “për kolegët e rënë në detyrë, për të gjithë policët e Kosovës”


Ismet Hashani, në Kampin Bazë të Everestit

I ka 60 vjet.

Por, zëdhënësi i Policisë Rajonale të Gjilanit, Ismet Hashani, ka arritur që të ngjitet deri në Kampin Bazë të Everestit, në 5.364 metra lartësi mbidetare.

Është njeriu i parë të cilin e thërrasin mediet për t’u informuar rreth zhvillimeve në sektorin e sigurisë në këtë rajon, por kësaj here redaksia e Albanian Post e ka kontaktuar për të folur për këtë të arritur të tij në alpinizëm dhe bjeshkatari.

Ismet Hashani, zëdhënës në Policinë Rajonale të Gjilanit

Në një intervistë të shkurtër telefonike, nga Nepali, Hasani tregoi se në këtë rrugëtim me shumë vështirësi, ishte vullneti ai që e shtyu të arrijë deri në këtë pikë.

“Pata vështirësi bukur shumë por, pata shumë vullnet edhe Zoti më ndihmoj, mi forcoj muskujt e eshtrat dhe ja arrita”, tha Hasani.

Në 10 ditët ecje që kishte bërë deri tani, në ngjitje deri në Kampin Bazë të Everestit dhe tani në kthim, Hasani thotë se u përball me vështirësi fizike. Pak për shkak të moshës, por edhe nga ecjet e gjata brenda ditës.

“Për shembull një ditë kemi ecë 12 orë, sot ashtu njëjtë, ata që janë më të rinj se unë ata më shpejtë po arrijnë në pika të caktuara të kampeve. Unë më ngadalë, por pata përkrahjen e grupit, më kanë përkrahë shumë të gjithë, sepse bjeshkatarët janë humanë, janë njerëz të mirë”, tha Hasani për Albanian Post.

Zëdhënësi i Policisë së Gjilanit, tregoi se ecja në kthim përfundon nesër, të mërkurën.

Ismet Hashani, në Kampin Bazë të Everestit

Të gjithë këtë ecje e cila sa është mund e sakrificë sjellë edhe satisfaksion, Hasani thotë se ua kushton kolegëve të tij, e specifikisht atyre që ranë në detyrë.

“Ua kam kushtuar shokëve të rënë në detyrë si Lazim Rexhepit, Enver Zymerit dhe të gjithë të tjerëve, por në fakt u mërzita pak se nuk pat vend me i falënderu ata që janë në detyrë tani. Ata që nuk janë më, e kemi detyrë t’i kujtojmë, gjithmonë mendja të rri tek ata. Por puna e kolegëve të mi sot, bën që të shihemi e vlerësohemi shumë mirë nga bota. Po na mundësohet ta përçojmë mesazhin se Policia e Kosovës është brezi që ka bërë shtetin”.

“Jam i lodhur e mezi po flas”, tregon Hasani gati në fund të intervistës telefonike, “por nuk mund të mos e përmend faktin se kolegët e punës i pata afër çdo ditë në këtë rrugëtim. Çdo ditë më kanë shkruar mesazhe motivuese. Nga drejtori, dy zëvendësit e tij e të gjithë kolegët”.

Kjo nuk është ecja e parë që kap këto lartësi Hasanin.

Ai ka qenë deri në Kampin Bazë të Anapurna-s në Nepal i cili kap 4.130 metra lartësi mbidetare dhe Ararat e cila gjendet në Turqi, me 5.137 metra lartësi mbidetare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore